Robotët industrialë “ESTUN Automation” duke salduar në Ekspozitën Ndërkombëtare të Teknologjisë, Pajisjeve e Materialeve të Prodhimit të Automjeteve të Shangait 2024, në qytetin Shangai të Kinës Lindore, 5 korrik 2024. / CFP
Kina do të shtojë përpjekjet për të nxitur industrializimin e ri me një ritëm më të shpejtë, duke ofruar mbështetje të fortë për përparimin e modernizimit kinez, tha ministri i Industrisë dhe i Teknologjisë së Informacionit i Kinës Jin Zhuanglong.
Sipas tij, do të përshpejtohet zhvillimi i një sistemi industrial modern me prodhimin e përparuar si bosht kryesor, do të nxitet integrimi më i thellë i ekonomisë reale dhe i ekonomisë digjitale, do të forcohet elasticiteti dhe siguria e zinxhirëve industrialë e të furnizimit dhe do të promovohet zhvillimi me cilësi të lartë i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Jin Zhuanglong vuri në dukje që Kina do të zbatojë projekte madhore të përshkallëzimit të teknologjive e të pajisjeve në shkallë të gjerë në sektorin e manifakturës, si edhe do të shtojë forcën konkurruese të të gjithë zinxhirit industrial në fusha të tilla si makinat inteligjente me energji të re të lidhura me rrjetin dhe bateritë e litiumit.
Do të zhvillohen motorët e rinj të rritjes, si bioprodhimi, fluturimet kozmike komerciale e ekonomia e lartësisë së ulët, dhe fushat e reja, duke përfshirë robotët humanoidë, rrjetin 6G dhe prodhimin në nivelt atomik, tha Jin.
Distrikti Qendror i Biznesit i Pekinit / foto nga CFP
Më tej ministri vuri në dukje se industria digjitale e Kinës pati një vlerë të ardhurash 32.5 trilionë juanë (rreth 4.57 trilionë dollarë amerikanë) në vitin 2023, duke bërë të ditur se do të përshpejtohet transformimi digjital i industrisë prodhuese, do të nxitet industrializimi i ri i mundësuar nga inteligjenca artificiale dhe do të zhvillohet një gjeneratë e re e industrive të teknologjisë së informacionit në fusha të tilla si qarqet e integruara, softuerët industrialë dhe interneti satelitor.
Ai shtoi se Kina do të nxisë zhvillimin me cilësi të lartë të industrisë së informacionit dhe komunikimit, duke nxitur përdorimin e teknologjisë 5G, të rrjeteve optike gigabit dhe të internetit të lëvizshme të gjërave etj.
Ministri i Industrisë dhe i Teknologjisë së Informacionit i Kinës vuri në dukje nevojën urgjente të përmirësimit të elasticitetit dhe sigurisë së zinxhirëve industrialë dhe të furnizimit.
Kina do të përshpejtojë përpjekjet për të ndërtuar zinxhirë të pavarur dhe të kontrollueshëm industrialë e të furnizimit në fusha kyçe si qarqet e integruara dhe pajisjet mjekësore, tha Jin.
Kina ka kultivuar deri tani 12 mijë firma "gjigante të vogla", siç quhen ndërmarrjet e vogla e të mesme elita të reja që janë të angazhuara në prodhim, janë të specializuara në një treg të veçantë dhe zbatojnë teknologjitë e fundit, u shpreh ai, duke shtuar se ministria do të mbështesë transformimin digjital dhe rritjen e shëndetshme të këtyre firmave. (Wang Lei/ Artan)