Asti i Italisë feston shqip
2024-09-02 14:55:58


Femijet e emigranteve ne shkollen e gjuhes shqipe ne Ast

Gjatë viteve ’90 në qytetin e Astit ka migruar një numër i madh i shqiptarëve, të cilët edhe sot i kushtojnë rëndësi ruajtjes së kulturës shqiptare te brezat e rinj. Njëri prej tyre është dhe Hasan Bulçari, i cili emigroi në shtetin fqinj për një jetë më të mirë. Në qytetin që ndodhet në veri të Italisë  është ndërtuar një qendër shqiptare e kulturës. E pagëzuar me emrin e aktores së madhe Margarita Xhepa, kjo qendër synon ruajtjen e traditës, kulturës dhe historisë, jo vetëm përmes kurseve të gjuhës shqipe por edhe veglave muzikore tradicionale shqiptare. Përgjatë këtyre organizimeve Asti ka festuar jo vetëm nën muzikën tradicionale të disa prej këngëtarëve më të njohur, por edhe pjesëmarrjen e mjaft personaliteteve të tjera nga të gjitha trojet shqiptare. Mesazhi që vjen nga ky qytet kërkon të përçohet kudo ku jetojnë shqiptarët, për të ruajtur gjuhën dhe rrënjët e tyre pavarësisht largësisë nga vendi. Këtë muaj në Asti do të organizohet një event i përvitshëm me shqiptarët që jetojnë atje.  Në një intervistë për Radio Ejani Hasan Bulçari tregon për jetën e tij në emigrim, si dhe aktivitetet artistike-kulturore që organizojnë në qytetin e Astit.

Hasan Bulcari 

CMG: Kur u larguat nga Shqipëria dhe si u integruat me jetën në emigrim?

Hasan Bulçari: Unë u largova nga vendi që kisha ëndërruar gjithmonë, nga Teatri Skampa. U largova një ditë marsi drejt Italisë me disa shokë të lagjes. Kur u largova nga Shqipëria isha i ri dhe të rinjtë e asaj kohe  në Shqipëri kishin ëndrra, pasione, aspirata dhe dëshira të mëdha për të realizuar. Në Shqipëri kishte rrethe të ndryshme artistike të asaj periudhe, si në shtëpitë e pionerëve, pallatet e kulturës, veprimtaritë e trupave profesioniste të teatrove dhe estradave, në të cilat shpesh aktivizoheshin artistë të suksesshëm amatorë. Si të gjithë emigrantët, ne që ishim të parët patëm fatin e keq, sepse ishim shqiptarët e parë që erdhëm në një masë të konsiderueshme. Pra, nuk kishim ndonjë mik apo të afërm që të na prisnin. Ne kemi fjetur dhe me plasmas në portin e Brindisit Sa erdha në Itali fillova punë në një teatër që quhet “Mago Povero”, ku vetë ky emër “Magjistari i varfër” tregon sesa i thjeshtë dhe i vogël ishte teatri.

CMG: Sa i organizuar është komuniteti shqiptar që jeton në Itali?

Hasan Bulçari: Në vazhdën e kësaj pune, vetë shqiptarët filluan të organizoheshin dhe të kishin nevojën e një njohje dhe lidhje me njëri-tjetrin. Fillimisht lindën disa shoqata, ku organizoheshin veprimtari të ndryshme artistike-kulturore e patriotike. Ka intelektualë të shquar këtu në Itali, përsa i takon artit, kulturës dhe historisë, por dhe çështjeve sociale siç janë pensionet për emigrantët.

CMG: Cila është shoqata që ti drejton dhe vepron në Asti të Italisë?

Hasan Bulçari: Ne kemi shoqatën ““Assoalbania Piemonte”, e cila ëshë pak më e strukturuar. Koha thirri që të ndihmoheshin punëdhënësit dhe ndërmarrjet për punësime. Shoqata jonë lindi kur pamë se po na lindte një problem me brezin e ri që kanë lindur këtu. Ata kishin frikë të flisnin gjuhën shqipe dhe të njiheshin që ishin shqiptarë dhe mundoheshin të visheshin si vendasit apo të flisnin italishten si vendasit, por jo vetëm fëmijët, prindërit e tyre gjithashtu flisnin vetëm italisht. Ky ishte një rrezik serioz dhe mjaft i madh, përsa i takon gjuhës shqipe, të ardhmes dhe idenditetit tonë kombëtar. Koha vetë i bëri thirrje kësaj ndërgjegje, këtij shpirti intelektual e patriotik, që asnjëherë nuk i ka munguar shqiptarit.

Kështu që filluan të ngriheshin shkollat dhe shoqatat që bënin veprimtari të ndryshme dhe u ngrit dhe shoqata jonë. Shoqata jonë  e pa të domosdoshme që duhej ngritur një shkollë shqipe, ku u bashkëpunua dhe u bënë programe dhe projekte të përbashkëta me komunën. Shkollën shqipe e ngritëm në bashkëpunim me komunën këtu, e cila na ka qenë gjithmonë pranë duke na ndihmuar. Gjithashtu ngritëm qendrën tonë kulturore, që është e vetmja e këtij lloji në Europë e ngritur nga shqiptarët. Aty u impenjua i gjithë komuniteti shqiptar, dhe është një qendër që na kushtoi. Ne tani kemi një realitet të kënaqshëm  dhe nuk ka gjë më të bukur që çdo mbrëmje vijnë prindërit dhe sjellin fëmijët e tyre në kurse të ndryshme, duke filluar nga kurset e valles, violinave, aktrimit dhe kantos. Gjashtë ditët e javës aty është një shtëpi e vërtetë kulture, ku rruga buçet dhe fqinjët italianë janë shumë të kënaqur kur dëgjojnë zërat e fëmijëve kur këndojnë dhe kërcejnë.

Aktorja e njohur shqiptare Margarita Xhepa ne qendren qe mban emrin e saj ne Asti

CMG: Flasim për pasionin tuaj për letërsinë dhe në veçanti poezinë. Ka qenë ky një pasion i hershëm i juaji?

Hasan Bulçari: Unë diçka kam shkruar dhe kur isha në Shqipëri, ndonjë libret të 10 sportistëve më të mirë apo parodie të vogël. Gjithashtu kam botur edhe atëhere në gazetat e kohës, por këtu në Itali gjeta veten me krijimin e kësaj qendrës dhe kam mundësitë kohën që të shprehem dhe të shkruaj. Nuk kam botuar dhe pse shokët  më thonë që t’i botoj. Nuk kam ndërmend që të botoj ndonjë përmbledhje në të ardhmen.

CMG: Vjen shpesh në Shqipëri dhe për çfarë të merr malli më shumë për vendlindjen?

Hasan Bulçari: Me largimin nga jeta të nënës time, sepse im atë kishte vite që ishte larguar nga jeta, shikoj që nuk kam më motive për të ardhur në Shqipëri. Gjithashtu kolegët e teatrit janë larguar nëpër shtete të tjera ose për fat të keq disa janë lërguar nga jeta. Unë nuk e gjej më veten në atë qytet. Vij me kënaqësi sepse kam njerëz të tjerë, por tani e mbrapa kam më pak motive dhe vij për të vënë një tufë me lule te varri i prindërve.

Femijet me kostume popullore shqiptare gjate nje koncerti 

CMG: Së shpejti do të keni aktivitetin tuaj në Asti të Italisë, një festë e përvitshme me komunitetin shqiptar, ku promovoni traditat shqiptare. Si është organizuar këtë vit ky event?

Hasan Bulçari: Ky është viti i tretë që organizojmë këtë festë të përvitshme dhe kam parë një mbështetje të vendasve këtu. Donim të tregonim akoma dhe më tepër, që ne kemi një kulturë, një histori dhe prejardhje, përveçse gjuhës që ju mësojmë fëmijëve, por kemi dhe ngjyrat tona, vallet dhe kostumet tona. Menduam që të organizojmë këtë paradë, ku për fat të mirë na u përgjigjën një pjesë e madhe e shoqatave në Itali, duke filluar nga veriu dhe deri këtu në Asti. Kjo është një festë e vërtetë, sepse mblidhemi dhe takohemi me njëri-tjetrin, dhe nuk ka gjë më të bukur sesa kur takohesh në një shesh veshur me veshje shqiptare. Gjithashtu kemi dhe orkestrën e sazeve që ndihmojnë për të kënduar një këngë apo kërcyer një valle.

CMG: Gjithashtu keni hapur një TV online, ku promovoni vlerat artistike e kulturore të Shqipërisë.

Hasan Bulçari: Jemi një personel i përgatitur. Ne fituam një projekt nga Ministria e Punës italiane dhe rajoni i Piemontes, na u dha e drejta të organizonim një kurs për afrimin e gazetarëve dhe montazhit të videove, sepse i kishim të gjitha parametrat. Kemi patur bashkëpunime me gazetarë dhe teknikë studiosh të RAI-t e Mediaset, ku bëmë këto dy kurse teorike dhe praktike, përsa i takon afrimit në gazetari dhe studios së post produksionit. Mundohemi që të japim jetën tonë, atë që bëjnë fëmijët tanë, që kur ta shikojnë të tjerët të mësojnë dhe të bëjnë atë që bëjmë ne këtu. Ne e kemi këtë mundësi, që të jemi më të organizuar, sepse dhe qendrën e kemi tonën, ku na është dhënë mundësia që të shtrijmë fantazinë tonë derisa kemi mundësi.

CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.

Hasan Bulçari: Dua të falenderoj në radhë të parë të gjithë ata shqiptarë që punojnë për gjuhën shqipe, për identitetin tonë kombëtar jashtë atdheut. Shembulli i qendrës tonë duhet ndjekur nga të gjithë.

Intervistoi: Gazmend Agaj