Pandat gjigante të dashura në Japoni do të kthehen në Kinë në shtator
2024-09-01 14:08:00

Foto nga VCG

Pandat e dashura gjigante Ri Ri dhe Shin Shin, që aktualisht banojnë në Kopshtin Zoologjik Ueno të Tokios, do të kthehen në Kinë në shtator, njoftuan autoritetet lokale, citon “CGTN”.

Pandat gjigante, mashkulli Ri Ri dhe femra Shin Shin, të dy nga provinca Sichuan e Kinës jugperëndimore, mbërritën në kopshtin zoologjik Ueno në shkurt 2011 sipas një marrëveshjeje të nënshkuar.

Ata sollën në jetë Xiang Xiang në vitin 2017, që u kthye në Kinë vitin e kaluar, dhe binjakët Xiao Xiao dhe Lei Lei në vitin 2021. Të tre pandat, të lindura dhe të rritura në kopshtin zoologjik, tërhoqën njerëz të pasionuar pas pandave nga brenda dhe jashtë vendit.

Sipas Kopshtit Zoologjik Ueno, të dyja pandat, tani 19 vjeç, kanë shfaqur probleme shëndetësore për shkak të moshës së tyre.

Ekspertët japonezë dhe kinezë kanë mbajtur komunikim të ngushtë dhe kanë kryer konsultime të përbashkëta për të ofruar trajtimet e duhura mjekësore.

Pas diskutimeve midis autoriteteve të Tokios dhe Shoqatës së Ruajtjes së Kafshëve të Egra të Kinës u vendos që ato të ktheheshin në Kinë për kujdes dhe trajtim më të mirë.

Pas largimit të tyre, në Ueno do të mbeten vetëm binjakët Xiao Xiao dhe Lei Lei.

Kopshti Zoologjik Ueno do të mbajë një aktivitet lamtumire muajin e ardhshëm, për të vlerësuar gëzimin dhe kontributin që Ri Ri dhe Shin Shin i kanë sjellë publikut japonez dhe kërkimeve për ruajtjen e pandave. (Irma)