Foto nga VCG
Mykhailo Podolyak, këshilltar i presidentit Volodymyr Zelensky, deklaroi se Ukraina do të ndalë dërgimin e naftës dhe gazit rus përmes tubacioneve të saj drejt Bashkimit Europian në fund të këtij viti, kur kontrata aktuale skadon dhe nuk do të rinovohet, shkruan “RTSH”.
Gjatë një interviste televizive, ai tha se kontrata aktuale përfundon në fund të vitit, dhe megjithëse marrëveshja nuk mund të anulohet në mënyrë të njëanshme, nuk ka dyshim se gjithçka do të përfundon më 1 janar 2025.
Ukraina është përgatitur të transportojë gaz nga vendet e Azisë Qendrore ose Azerbajxhani në Europë, por jo nga Rusia.
Kontrata për tranzitin e gazit rus përmes Ukrainës në Europë midis kompanive shtetërore “Gazprom” dhe “Naftogaz” përfundon më 31 dhjetor.
Pavarësisht nisjes së konfliktit në shkurt 2022, ukrainasit kanë përmbushur kushtet e kontratës, pjesërisht me insistimin e fqinjëve europianë, veçanërisht Hungarisë. Por, udhëheqja ukrainase e ka bërë të qartë vazhdimisht se nuk do ta zgjasë këtë kontratë.
Hungaria, Republika Çeke dhe Sllovakia janë vendet e fundit që marrin naftën ruse përmes tubacionit “Druzhba”. Seksioni verior i tubacionit që çon në Gjermani u mbyll kryesisht për shkak të sanksioneve perëndimore ndaj naftës ruse. (Irma)