Inflacioni në Eurozonë më i ulëti që nga 2021-shi
2024-08-31 15:40:49

Foto nga VCG

Inflacioni i Eurozonës u zbut në nivelin më të ulët që nga mesi i vitit 2021, si pasojë e rënies së çmimeve të energjisë, duke shtuar shanset për një ulje tjetër të normës së interesit nga Banka Qendrore Europiane (BQE), shkruan “ATSH”.

“Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit u rrit me 2.2% me bazë vjetore në gusht, më i ngadaltë se rritja e korrikut prej 2.6%”,- treguan të dhënat nga Eurostat-i.

Ky ishte niveli më i ulët që nga korriku 2021 dhe gjithashtu përputhej me pritjet.

Pa përfshirë çmimet e energjisë, ushqimeve, alkoolit dhe duhanit, inflacioni bazë u ngadalësua vetëm pak, në 2.8% nga 2.9%.

Shërbimet shënuan rritjen më të lartë vjetore prej 4.2%, pasi shënuan një rritje prej 4% në korrik.

Çmimet e ushqimeve, alkoolit dhe duhanit gjithashtu u rritën me një ritëm më të shpejtë prej 2.4% pas një rritjeje prej 2.3%.

Ndërkohë, çmimet e energjisë ranë me 3%, duke shënuar rënien e parë në katër muaj. (Elona)