Foto nga VCG
Qeveria gjermane ka rënë dakord të forcojë kufizimet e armëve, të godasë emigracionin e paligjshëm dhe të marrë masa të tjera për të luftuar kërcënimin e terrorizmit islamist pas një sulmi vdekjeprurës me thikë në qytetin perëndimor të Solingenit.
Një ndalim ekzistues për mbajtjen e thikave në hapësira publike do të zgjerohet dhe përfitimet sociale për disa azilkërkues që fillimisht janë regjistruar në vende të tjera të BE-së do të shkurtohen, njoftoi ministrja e Brendshme, Nancy Faeser, citon “ATSH”.
Një sulmues me thikë vrau tre persona dhe plagosi tetë të tjerë javën e kaluar gjatë një festivali në sheshin e tregut të Solingen, një qytet në Gjermaninë perëndimore.
Sulmuesi i supozuar, një shtetas sirian 26-vjeçar i identifikuar nga autoritetet si Issa Al H, duhej të deportohej nga Gjermania në Bullgari vitin e kaluar.
Grupi terrorist Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmin, një lidhje që mbetet nën hetim nga autoritetet gjermane. (Elona)