Foto nga VCG
Izraeli ka rënë dakord të lejojë pauza të kufizuara ditore në luftimet në Rripin e Gazës për të lejuar një fushatë vaksinimi ndaj poliomielitit, bëri të ditur OKB-ja.
“Luftimet do të pushojnë në tre zona të territorit palestinez nga mëngjesi deri pasdite për tri ditë rresht”,- deklaroi një përfaqësues i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), citon “RTSH”.
Sipas OBSH-së, fushata e vaksinimit ndaj poliomielitit do të nisë më 1 shtator në Gazën qendrore dhe do të kryhet gjatë dy ditëve të ardhshme në Gazën jugore dhe veriore.
Pauzat ditore në luftimet për të lehtësuar vaksinimin e më shumë se 600.000 fëmijëve do të fillojnë në orën 06:00 dhe do të përfundojnë midis orës 14:00 dhe 15:00.
Pas zbulimit të virusit të poliomielitit në ujërat e zeza të Gazës, vaksinat kundër sëmundjes u dërguan në zonën bregdetare javën e kaluar.
Kombet e Bashkuara po përpiqen të imunizojnë më shumë se 600.000 fëmijë në Rripin e Gazës kundër virusit në dy raunde vaksinimi. (Elona)