Hyjnë në fuqi ndryshimet në buxhetin 2024, buxheti i rrugëve rritet me 65 milionë euro
2024-08-31 10:44:58

Foto nga VCG

Buxheti 2024 u ndryshua për herë të dytë me një akt normativ, i cili rrit të ardhurat me rreth 27.2 miliardë lekë dhe po kaq shpenzimet. Deficiti buxhetor u la i pandryshuar.

Sipas tabelave që shoqërojnë ndryshimet, pjesa më e madhe e shtesës prej rreth 6.6 miliardë lekë shkon si shtesë për buxhetin e Ministrisë së Infrastrukturës, i cili arriti pas ndryshimeve në 74.3 miliardë lekë, përcjell “RTSH”. E gjithë shtesa ka shkuar për programin e transportit rrugor. Fondet për këtë program me ndryshimet e reja arrijnë në 33 miliardë lekë.

Një shtesë prej 600 milionë lekësh akordohet në zërin “Shpenzime kapitale” në programin “Menaxhimi i infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes” të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Me to do të financohen objekte, pajisje dhe makineri të infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, si dhe veprave të mbrojtjes nga përmbytjet për bashkitë.

Fondi për indeksimin e pensioneve është parashikuar 4137 milionë lekë dhe bonusi i pensionistëve 3650 milionë lekë. Ky fond ndahet midis skemave, sipas përcaktimeve në vendimin e Këshillit të Ministrave. (Elona)