Kryebashkiaku Veliaj: Godinat e reja te “5 Maji” po bëhen gati për banorët e prekur nga tërmeti
2024-08-31 12:21:47

Foto nga ATSH

Godinat e reja te zona e “5 Majit”, në kryeqytetin shqiptar, po bëhen gati për të pritur banorët që u prekën nga tërmeti i vitit 2019.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi nga afër punimet, nga ku deklaroi se kantieri publik i “5 Majit” është ndërtuar me standardet më të mira, edhe se ato private, ndërsa njoftoi procesin e hedhjes së shortit për banorët që do të përfitojnë shtëpi të reja në këto godina, shkruan “ATSH”.

“Në këtë kantier është punuar me cilësi të mirë. Mbarimi i dy godinave të tjera, 27-28, na çon me një buqetë për të siguruar vendimin e Këshillit të Ministrave, që pastaj na autorizon që të bëjmë shpërndarjen. Do të ketë një proces të hedhjes së shortit, ku do të marrin shtëpi qytetarët që janë prekur nga tërmeti. Ndërsa katet e para të ndërtesave do të jenë për ata që kanë investimet e tyre të biznesit, për t’ua kthyer prapë atë hapësirë në metra katrorë, prapë për efekt të biznesit”,- deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se banesat e reja janë ndërtuar me standarde shumë herë më të mira se ato që prishi tërmeti, të cilat ishin ndërtuar kryesisht me punë vullnetare. (Elona)