Autoritetet gjermane dëbojnë dhjetëra afganë pas sulmit vdekjeprurës në Solingen
2024-08-31 15:42:26

Foto nga VCG

Për herë të parë qëkur talebanët rimorën pushtetin, një fluturim deportimi për në Afganistan u nis nga aeroporti gjerman i Lajpcigut.

Një avion i “Qatar Airways” me 28 afganë, të cilët figuronin si shkelës të ligjit dhe që ishin sjellë nga lande të ndryshme të vendit, u nis nga Lajpcigu për në Kabul, në një operacion të organizuar nga Ministria e Brendshme federale e Gjermanisë, bën të ditur “ATSH”.

Gjermania nuk mban marrëdhënie diplomatike me sundimtarët talebanë në Kabul.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, njoftoi se pas sulmit vdekjeprurës me thikë në Mannheim në fund të majit, dëbimi i kriminelëve më të rrezikshëm dhe të dyshuarve terroristë në Afganistan dhe Siri do të mundësohej sërish.

Në këtë vendim përfshihen persona të dyshuar nga autoritetet e sigurisë si të aftë për krimet më të rënda të motivuara politikisht, përfshirë sulmet terroriste.

Debati është rindezur nga sulmi vdekjeprurës me thikë të javës së kaluar në qytetin perëndimor të Solingenit që la të vdekur tre persona, ku i dyshuari kryesor është një 26-vjeçar sirian, i cili besohet se i kishte shpëtuar urdhrit të dëbimit. (Elona)