Këngëtarja e muzikës popullore të Shqipërisë së mesme Ledia Halili është rikthyer në tregun muzikor me materiale të reja muzikore. Ajo ka pak kohë që ka publikuar këngën e re “Fol e qesh gocë Tirone “,dedikuar bukurisë femërore tiranase. Ledia rrjedh nga një familje e njohur artistësh, dhe është përpjekur të ruajë të pastër traditën e muzikës së mirëfilltë popullore. Së shpejti ajo do të sjellë këngë të tjera popullore për artdashësit. Në intervistë për Radio Ejani, Ledia tregon për rikthimin e saj në muzikë dhe projektet artistike.
CMG: Je rikthyer në muzikë pas disa vitesh me një këngë kushtuar vajzave tiranase. Si lindi ideja e kësaj kënge?
Ledia Halili: Kjo është një këngë e re, tekstin dhe muzikën e kam bërë vetë. Unë përfaqësoj tiranasit sepse jam vetë tiranase dhe kisha dëshirë të përfaqësoj bukurinë e vajzës tironse në këtë krijim të ri. Prandaj dhe titulli i këngës është “Fol e qesh gocë Tirone”. Ideja më lindi, duke i parë të gjitha vajzat tiranase me të cilat shoqërohem, thashë do t’i bëj një këngë bukurisë së vajzës tiranase.
CMG: Si e ka pritur publiku këtë këngë?
Ledia Halili: Kënga është pritur shumë mirë dhe është kënaqësi kur shikon që krijimtaria jote vjen këndshëm për veshin e publikut.
CMG: Pse vendose të rikthehesh me krijimtari të re popullore?
Ledia Halili: Unë vendosa të kthehem me krijimtari popullore, sepse këngët e vjetra i di gjithë populli. Kemi nevojë që të edukojmë brezin e ri me këngë të mirëfillta të reja, që të vijnë interesante për brezin e ri. Duke e menduar këtë gjë, unë kam bërë shumë kompozime të reja që shumë shpejt do t’i sjell për publikun këndshëm me videoklipe. Ndoshta në një të ardhme do të vij edhe me një koncert.
CMG: Një pjesë të xhirimeve të videoklipit të këngës janë bërë në Krujë, me pjesëmarrjen dhe të Pleqve të Krujës, dhe ti e veshur me kostumin popullor.
Ledia Halili: Në fakt kur e këndova këngën në Krujë, të gjitha krutanet më thoshin se pse nuk e kam bërë këngën “Si krutanet jo nuk ka”. Unë i thashë që ju mund ta ktheni si të doni, si krutanet, si durrsaket apo si tironset. Teksti i këngës është i këndshëm dhe kisha dëshirë që në një vend historik siç është Kruja, të realizohet një pjesë e videoklipit. Njerëzit janë shumë bujarë dhe na pritën shumë mirë. Pjesa tjetër e këngës është bërë tek shtëpia e vjetër e Sali Shijakut, një shtëpi e vjetër tironsish, ku janë bashkuar pjesët më të bukura, si dhe tek Vila Toptani. Kjo ishte një ide që kisha vetë përzemër, që t’ia prezantoj publikut edhe me veshjen më të vjetër kombëtare 150 vjeçare. Kostumi popullor në videoklip nuk është i imi personal, por zonja që ma dhuroi për videoklipin e ka nxjerrë nga sënduku dhe më tha se duhet patjetër ta vesh këtë kostum popullor.
CMG: Rikthehesh në muzikë pas gati 15 vitesh mungesë. Cila ishte arsyeja e shkëputjes nga muzika?
Ledia Halili: Arsyeja e shkëputjes nga muzika ka qenë jeta familjare, sepse më erdhi në jetë vajza. Pastaj emigrova në SHBA, ku erdhi dhe lindja e djalit. Prandaj jam shkëputur nga jeta artistike, por ka qenë thjesht një pauzë dhe gjithmonë e mendoja një rikthim. Rikthimi mendoj se po vjen këndshëm, sepse po vij me projekte dhe me kompozime të reja.
CMG: Kush e ka orkestruar këngën e fundit?
Ledia Halili: Këngën e kam orkestruar në studion e Gëzim Mnerit, e falenderoj shumë, sepse përveç mjeshtërisë së tij, kishte dhe njerzillëk gjithashtu. Jam falenderuaese sepse bashkëpunimi doli shumë këndshëm.
CMG: Një vajzë tiranase e martuar në Kërçovë të Maqedonisë së Veriut. Ke gjetur ndonjë lidhje të traditave apo zakoneve mes dy qyteteve?
Ledia Halili: Kemi shumë përputhshmëri në disa gjëra. Ata nënës i thojnë tata, kurse ne i themi babait tata. Gjithashtu ata e mirëpresin muzikën tonë dhe pse kanë zakonet e tyre. Unë në Kërçovë e kam ndjerë veten shumë mirë si nuse dhe vajzë Tirane që kam shkuar në familjen e tim shoqit. Aty kam mësuar ta theksoj më shumë pjesën e patriotizmit, sepse duke qenë në emigracion mendoj se vjen më e theksuar ajo pjesë. Unë gjithmonë e kam patur qejf të vesh një fustan kuq e zi ose të kem një flamur shqiptar brenda në shtëpi, që më tregon dhe më personifikon mua se nga vij dhe kush jam.
CMG: Mendon se jeta në emigrim të ka bërë më patriote?
Ledia Halili: Emigrimi më ka bërë më patriote, sepse kur je larg në kurbet ti ndjen një pjesë të shpirtit tënd të shkëputur në vendlindjen tënde, në vendin ku je rritur dhe formuar. Kemi lënë familjen këtu, kemi lënë shpirtin tonë pas. Sado që jemi në emigracion, është ajo shprehja që guri i rëndë peshon në vendin e vet.
CMG: Ke vënë re ndryshime të Tiranës sa herë që rikthehesh këtu?
Ledia Halili: Kam parë ndryshime, çdo vit ka ndryshime të rrugëve dhe ndërtimeve. Shpeshherë disa rrugë nuk po i njoh të them të drejtën, por është pjesë e këndshme sepse jeta evoluon dhe duhet të sjellin gjëra të reja. Ashtu si sjellim ne muzikën në version të ri, dhe Tirana po vjen në version të ri.
CMG: Rikthimi pas disa vitesh në muzikë ka një arsye?
Ledia Halili: Unë jam rikthyer në muzikë vetëm për një arsye, për të lënë trashëgimi familjare, për të lënë një titull brenda familjes dhe një muzikë të bukur për brezat e rinj, që edhe fëmija im kur të rritet në të ardhmen të shikojë po aq këndshëm si e kam parë unë figurën e hallës time në skenë. Gjithashtu mbesa ime dhe fëmijët e mi të shikojnë po atë figurë, një trashëgimi familjare, kulturore dhe artistike.
CMG: Këngët e tjera që do të sjellësh së shpejti janë krijimtari e juaja?
Ledia Halili: Unë do të vij shumë shpejt për publikun me krijimtari të re, teksin dhe muzikën e kam bërë vetë. Shpresoj të pritet po aq mirë sa kënga “Fol e qesh gocë Tirone”. Unë do bëj bashkëpunime me kompozitorë të tjerë, por dua së pari t’i prezantoj publikut krijimtarinë time. Kam tetë këngë të reja, para disa ditësh kam mbyllur këngën e fundit, tekstin dhe muziknë e kam bërë vetë, është sërisht këngë e Tiranës, që do ta prezantoj ndoshta më vonë. Të gjitha këngët do të vijnë të shoqëruara me videoklipe, të ndërthurura me trashëgimi, që brezi i ri kur të rritet të shikojë diçka artistike.
CMG: Çfarë ndryshoi Amerika te Ledia, që ishte lindur dhe rritur në Tiranë?
Ledia Halili: Amerika më bëri pak më melankolike dhe më humbi pak socializimin, që e kisha më tepër në Tiranë. Melankolike, sepse për çdo gjë bëhem emocionale në momentin që përmend vendin tim ose kudo që të jem në rreth shoqëror me të huajt, unë flas vetëm për Shqipërinë.
CMG: Sa i ke ruajtur traditat shqiptare në SHBA, qoftë dhe gatimet tradicionale në shtëpi?
Ledia Halili: Traditat shqiptare i kam ruajtur dhe do vazhdoj t’i ruaj me krenari, sepse ne jemi një popull shumë me vlera, kemi një histori shumë të bukur për të treguar, për ata që nuk na njohin. Të gjithë që më vijnë për vizitë në shtëpi, të huaj dhe shqiptarë, i pres me gatime tradicionale shqiptare. Kam qejf të gatuaj byrekët me spinaq, të bëj qoftet e shtëpisë, të bëj ushqime tradicionale kërçovare. Gjithashtu dhe fëmijët e mi rriten me ushqim shtëpie.
CMG: Fëmijët tuaj e kanë pasion muzikën?
Ledia Halili: Vajza i bie violinës dhe ka një zë shumë mbresëlënës, por e tërheq më shumë nga shkolla dhe nuk dua që t’ja mbështes shumë pjesën artistike. Kur të rritet ajo mund të vendosi vetë, pasi atani po edukohet me vijën melodike njeh pentagramin dhe notat.
CMG: Një këngë ia ke kushtuar dhe djalit tend. Flasim për këtë krijim?
Ledia Halili: Djalit i kam kushtuar një këngë, bashkim trojesh, pak nga Kërçova dhe pak nga Tirana. Është një kujtim për të, për një event tradicional që kishim ne. Gjithashtu i kam bërë dhe një këngë vjazës, por kam dhe pak punë me teksin dhe vijën melodike. Besoj se është gati në përfundim.
CMG: Një pëshëndetje për dëgjuesit tanë, adhuruesit dhe miqtë tuaj.
Ledia Halili: Kam një mesazh për të gjithë, që duhet mos të mendojmë shumë për stres, sepse stresi na bën dëm për shëndetin. Mendoj që ta largojmë stresin dhe të mendojmë vetëm pozitivisht.
Intervistoi: Gazmend Agaj