Raporti i BB-së: Rreth 33% e familjeve në Shqipëri kanë një anëtar mbi 65 vjeç
2024-08-31 10:47:31

Foto nga VCG

Në një raport të Bankës Botërore për barazinë gjinore bëhet e ditur se përqindja e familjeve në Shqipëri me të moshuar (65+) i kalon ato me fëmijë të vegjël (0-6 vjeç), që tregon një prevalencë më të madhe të përgjegjësive të kujdesit për të moshuarit, shkruan “Panorama”.

Sipas raportit, 32.9 për qind e popullsisë banon me një të moshuar të rritur të moshës 65 vjeç e lart, krahasuar me 11 për qind që jetojnë me fëmijë të vegjël të moshës 0-6 vjeç.

Prania e të moshuarve në familje mund të rrisë përkujdesjen për anëtarët e tjerë të familjes, sidomos me kujdesin ndaj fëmijëve, por ndërkohë do të shtojë nevojat për kujdes ndaj moshës së tretë.

Sipas anketës “Jeta në tranzicion” (LITS), gati 10 për qind e familjeve shqiptare kërkojnë kujdes për fëmijët dhe një përqindje e ngjashme kërkon kujdes për të moshuarit.

Anëtarët e familjes në Shqipëri janë burimi kryesor i ofrimit të kujdesit. Nevojat për kujdes plotësohen më së shumti nga anëtarët e tjerë të familjes dhe jo nga institucionet apo burime të kujdesit (të tilla si dado, të afërm ose miq).

Edhe pse kujdesi institucional është më i zakonshëm për fëmijët e moshës 4-6 vjeç (82 për qind), përdorimi i tij zvogëlohet për fëmijët më të vegjël (0-3 vjeç) dhe për të moshuarit (përkatësisht 46 për qind dhe 22 %).

Nga ana tjetër aksesi në kujdesin afatgjatë për të moshuarit në Shqipëri është i kufizuar, pavarësisht nga një rritje e kërkesës për këtë shërbim. Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), 91 për qind e të moshuarve shqiptarë kërkojnë kujdes afatgjatë, por më pak se 2 për qind marrin kujdes formal. (Elona)