Kevin Puts -- Foto China Daily
Në një botë ku kufijtë artistikë shpesh pasqyrojnë ndarje kulturore, është krijuar një lidhje e papritur midis dy kompozitorëve nga kënde të ndryshme të botës.
Në vitin 2023, ndërsa kompozitori i njohur Guo Wenjing po ndiqte ceremoninë e 65-të të çmimeve “Grammy”, ai mësoi për Kevin Puts dhe veprën e kompozitorit amerikan të tilluar “Kontakt”, shkruar për treshen e harqeve “Time for Three”. Koncerti, i cili sapo kishte fituar çmimin “Grammy” për kompozimin më të mirë klasik bashkëkohor, u përfshi në një regjistrim të “Deutsche Grammophon”, Orkestra e Filadelfias dhe dirigjenti kinezo-amerikan Xian Zhan, “Letra për të ardhmen”.
Guo mësoi gjithashtu se procesi i bashkëpunimit midis kompozitorit Puts dhe instrumentistëve të “Time for Three” u thellua gjatë pandemisë së Covid 19 dhe eksplorimi prekës i lidhjes dhe dëshirës njerëzore rezonoi me domethënie të re në një botë të shënuar më pas nga izolimi dhe dëshira për kontakt.
“Nuk e kisha dëgjuar kurrë muzikën e tij. Kur dëgjova kompozimin e tij “Kontakt”, më preku shumë dhe më bëri shumë përshtypje instinkti i tij tregimtar, që e bëri muzikën bashkëkohore të aksesueshme për një audiencë më të gjerë”, - thotë 68-vjeçari, i cili njihet për kontributin e tij në muzikën bashkëkohore kineze dhe për kompozimin e koncerteve dhe operave për instrumentet perëndimore dhe kineze.
Në një moment njohjeje ndërkulturore, Guo, i cili është kryetar i jurisë së Çmimit Ndërkombëtar 1573 për Kompozitorin më të Mirë, rekomandoi që Kevin Puts t'u dërgonte një pjesë organizatorëve të konkursit. Më pas juria vendosi t'ia jepte pikërisht atij çmimin kryesor dhe ta ftonte në Kinë.
Çmimi Ndërkombëtar 1573 për Kompozitorin më të Mirë u lançua vitin e kaluar dhe fituesit deri tani kanë qenë Hugues Dufourt nga Franca dhe Chen Qigang nga Kina. Juria përbëhet tërësisht nga muzikantë, duke përfshirë dirigjentin kinez Zhang Yi dhe kompozitorin Hao Weiya. Çmimi është pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë dhe Pijeve, që nisi nga poeti i mirënjohur kinez Jidi Majia në vitin 2017.
"Ky çmim thekson aftësinë e Kevin Puts për të përzierë teknikat moderne kompozicionale me elementë që rezonojnë me audiencë më të gjerë, duke kapërcyer një hendek midis botës shpesh abstrakte të muzikës bashkëkohore dhe tërheqjes tradicionale të formave klasike",- thotë Guo. "Për vite të tëra, kam vënë re se publiku ndjen një distancë nga muzika bashkëkohore. Nuk është faji i tij. Kompozitorët duhet t'i kushtojnë më shumë rëndësi qartësisë melodike dhe elegancës strukturore, të cilat janë në kontrast me natyrën e ngjeshur dhe ndonjëherë të errët të shumë veprave bashkëkohore".
Më 18 shtator, Puts do të jetë në Shangai për të pranuar çmimin dhe do të marrë pjesë në një koncert me muzikën e tij nga Orkestra Simfonike e Shangait, e drejtuar nga Yang Yang. Ai gjithashtu do të mbajë leksione në Konservatorin e Muzikës në Shangai dhe në Konservatorin Qendror të Muzikës në Pekin.
Puts ka zgjedhur tri pjesë, duke përfshirë operën e tij debutuese, “Nata e heshtur”, e cila i dha atij Çmimin Pulitzer për Muzikën 2012, si dhe një pjesë të shkurtër, bazuar në një melodi të shkruar nga kompozitori dhe poeti francez i shekullit të 14-të, Guillaume de Machaut.
Guo Wenjing -- Foto China Daily
“Nuk kam punuar kurrë me një orkestër në Kinë dhe kjo është shumë emocionuese për mua”,- thotë ai. "Sigurisht, me çdo orkestër, ka gjithmonë pak kohë të nevojshme për t'u mësuar me gjuhën time si kompozitor. Por muzika ime është frymëzuar nga vepra e madhe e së kaluarës, kështu që shpresoj që muzikantët t'i gjejnë pjesët e tyre të kënaqshme, edhe kur është sfiduese".
Kompozitori thotë se gruaja e tij, Lisa GiHae Kim, një violiniste në Filarmoninë e Nju Jorkut, bëri turne në tetë qytete në Kinë, përfshirë Pekinin, në vitin 2018. Ai dhe djali i tyre i vogël e shoqëruan atë. “Ishte një udhëtim magjepsës dhe mezi prisja të rikthehesha”, - thotë ai.
I lindur në vitin 1972 në St Louis, Missouri, Puts është tashmë një nga kompozitorët kryesorë të Amerikës, duke fituar famë ndërkombëtare.
Fitues i çmimeve të shumta prestigjioze, veprat e tij janë interpretuar dhe regjistruar nga ansamble dhe solistë kryesorë në mbarë botën, duke përfshirë Yo-Yo Ma, Renee Fleming, Jeffrey Kahane, Dame Evelyn Glennie, Filharmonia e Nju Jorkut, Orkestra e Dhomës Saint Paul, kuarteti Miro dhe orkestrat simfonike të shteteve në SHBA.
Kur ishte fëmijë, Puts-it i pëlqenin të gjitha llojet e muzikës orkestrale, që i dëgjonte në shtëpi me prindërit e tij, duke filluar nga Beethoven, te Bernstein, te muzika që dëgjonte në kinema. Një nga të preferuarat e tij ishte një pjesë e shkruar nga John Williams. Udhëtimi i tij në botën e kompozicionit filloi në Shkollën e Muzikës Eastman, ku mori dhe diplomën bachelor dhe master.
“Është detyrë e kompozitorit të zotërojë çdo element të tregimit muzikor, nga harmonia, ritmi, orkestrimi, zhvillimi i materialit”,- thotë ai. "Dua që audienca të jetë me mua. Unë nuk aspiroj konfuzion".
Ndikimi i Puts shtrihet përtej kompozimeve të tij; ai njihet edhe për përkushtimin e tij në arsim dhe mentorim.
Që nga viti 2006, ai është anëtar i fakultetit të kompozicionit në Institutin Peabody të Universitetit Johns Hopkins dhe do të shërbejë si kompozitor i shquar vizitor në Shkollën Juilliard këtë vit akademik. Ai gjithashtu do të kthehet në rolin e tij si drejtor i Institutit të Kompozitorëve të Orkestrës së Minesotës vitin e ardhshëm.
"Interesi im në mësimdhënie ka qenë gjithmonë që të drejtoj çdo kompozitor të ri të talentuar në rrugëtimin e tyre. Unë dua që ata të ndihen të sigurt në zërin e tyre, ta zotërojnë atë, të mos kenë turp për interesat e tyre muzikore”,- thotë Puts. “Më intereson zanati mbi të gjitha, pa marrë parasysh se cili është stili”.