Foto e posterit të koncertit (Foto nga facebook)
Foto nga koncertet e Life and Music Concept Orchestra (Foto për CMG)
Mbrëmjen e 4 shtatorit Orkestra e parë ndërkombëtare do të interpretojë për herë të parë në sheshin “Nënë Tereza”. "Life and Music Concept Orchestra", me drejtues artistik dhe krijues të këtij projekti artistin, violinistin shqiptar të Filarmonisë së Luksemburgut Kledis Rexho do të performojnë pjesë nga muzika më e bukur e filmave, ritmet baroke, por edhe ato ballkanike. Për herë të parë do të luhet në Shqipëri Vivaldi në versionin rrok, pjesë të zgjedhura nga repertori i kompozitorit italian Ennio Morricone, muzikë nga grupi rrok AC/DC, muzikë jazz, si edhe muzika folk nga disa krahina të Shqipërisë dhe nga vepra e kompozitorëve shqiptarë dhe të huaj. Në intervistë për Radio Ejani Kledis Rexho, Drejtor Artistik i "Life and Music Concept Orchestra", tregon risitë e këtij koncerti, repertorin, por edhe planet të tjera me këtë orkestër.
CMG: Kledis, ti së bashku me orkestrën që drejton "Life and Music Concept Orchestra", Orkestra e parë ndërkombëtare me qendër në Tiranë do të performon më 4 shtator në Tiranë Çfarë do ndjekë publiku këtë herë?
Kledis Rexho: Po, është e vërtetë. Më 4 shtator në orën 19.00 do jetë një koncert me një repertor të mrekullueshëm. Do jetë një mbrëmje magjike, prandaj e ftoj me kënaqësi publikun e kryeqytetit dhe pse jo edhe të qyteteve përreth, që të jenë prezent. Kemi një repertor mjaft të veçantë, ku si rrallë herë më parë muzika folk, ajo cigane, madje dhe muzika rrok, do të ndërthuren me muzikën klasike dhe me ritmet e shpejta të muzikës baroke. Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë të bashkëpunoj dhe të kem suportin e dy aktorëve të rëndësishëm për zhvillimin e jetës artistike në Shqipëri, “Harabel” dhe “Abi Bank”, të cilët i falenderoj përzemërsisht në emër të orkestrës.
CMG: Koncertet që më parë i realizoje në ambjente të mbylluara, me një publik të zgjedhur, përse tani ke vendosur t’i zgjerosh në ambjent të hapur, me një publik të gjerë?
Kledis Rexho: Mendoj se orkestra ka arritur pjekurinë e duhur për të hedhur këtë hap, duke luajtur për një publik më të gjerë. Së bashku me presidenten e nderit të "Life and Music Concept Orchestra", Nevila Dude kemi që në fillimet e projektit në Shqipëri dy qëllime kryesore. Së pari, ndihmën pedagogjike për talentet e reja, duke i dhënë atyre një hapësirë të rëndësishme për të qenë në skenë bashkë me muzikantët profesionistë të orkestrës, ndërsa qëllimi i dytë ka qenë, demokratizimi sa më i madh i muzikës klasike në Shqipëri. Prandaj koncertet në ambjete të hapura janë të rëndësishme në këtë drejtim. Është një vendim që e morën në harmoni të plotë me mbështetësit e këtij koncerti dhe besoj se do jetë një mbrëmje e mrekullueshme.
CMG: Publiku shqiptar është i lidhur me muzikën popullore dhe atë të filmave. Programi juaj është i bazuar tek muzika shqiptare apo ajo e huaj?
Kledis Rexho: Repertori që kam zgjedhur dhe që për pjesën më të madhe është orkestruar mjeshtërisht nga Armand Broshka, është me të vërtetë repertor i veçantë. Për herë të parë në Shqipëri, do të luhet Vivaldi në versionin rrok, do të kemi muzikën e Ennio Morricones, muzikën e filmave si ajo e Romeo & Zhuljetës, e Quentin Tarantinos, do të shkojmë deri tek muzika rrok e AC/DC-së, nuk do të mungojë jazz-i, për t’u kthyer më pas tek muzika folk nga disa krahina të Shqipërisë, si dhe pa harruar kompozitorët Pjetër Gaci, Telemann, etj. Është një udhëtim, që publikut të mësuar të koncerteve klasike, do t’i shfaqet një orkestër që mund të luaj çdo repertor, kurse një publiku më të ri, që për një arsye apo një tjetër, nuk ka trokitur në sallat e koncerteve, do shohë që ndërmjet muzikës së Telemann dhe AC/DC, nuk ka ndonjë ndryshim të madh.
Kledis Rexho (Foto nga koncertet e Life and Music Concept Orchestra )
CMG: Çfarë risie sillni këtë herë?
Kledis Rexho: Risia në fakt këtë herë është vetë programi dhe ndërthurja e zhanreve të ndryshme si asnjëherë më parë. Orkestrës për një pjesë të programit, për pjesën e muzikës rrok apo muzikës së filmit, do i shtohet një bateri dhe një kitare bas. Do të jetë një festë e vërtetë e muzikës. Do të luhen disa duete me muzikantë të jashtëzakonshëm si Albi Binjaku, i cili është violinë solo në opera në Francë, por edhe një mik i mire i imi që prej viteve të shkollës në Akademinë e Arteve në Tiranë. Në fillim shkova unë në Francë e më pas erdhi ai, që tani është në një nga orkestrat më të mira të Francës, në një pozicion shumë të rëndësishëm. Së bashku ne do të luajmë një nga veprat e kompozitorit, Telemann, një muzikë shumë ritmike baroke. Gjithashtu do të luaj dy duete me dy studente që jam i bindur që një ditë do të përfaqësojnë Shqipërinë nëpër botë. Falenderoj profesoreshën e tyre Vera Tego, e cila ka bërë një punë të jashtëzakonshme me to, por edhe muzikantët e orkestrës janë disa nga muzikantët më të mirë në Shqipëri dhe në rajon, jam i lumtur që luaj me to.
CMG: Si do jetë ecuria e aktiveteve të radhës me "Life and Music Concept Orchestra"?
Kledis Rexho: Bashkë me muzikantët e "Life and Music Concept Orchestra", pas koncertit të datës 4 shtator, kemi shumë dëshirë që të realizojmë edicionin e tretë të festivalit, “Violina e paqes”, pasi ky festival na lejon që të zhvillojmë më tej misionin tonë artistik, atë pedagogjik, që do na lejonte të bënim më shumë Master-klase, t’i jepnim më shumë hapësirë talenteve të rinj, si dhe të zhvillonim misionin tonë social dhe sensibilizues, që është diçka shumë e rëndësishme për ne dhe për projektin në vetete. Ne shpresojmë që të vazhdojmë të kemi mbështetjen e institucioneve publike, siç e kemi patur për dy ediconet e këtij festivali, gjithashtu ftojmë sa më shumë institucione private dhe miq t’i afrohen projektit, aq më mirë ne do arrijmë t’i zhvillojmë objektivat tona.
-Artisti dhe drejtuesi i "Life and Music Concept Orchestra, violinisti Kledis Rexho do të interpretojë në këtë koncert së bashku me muzikantët profesionistë të muzikës klasike në Shqipëri, por do të luajë gjithashtu edhe me dy studente të reja, 13 dhe 16 vjeçe, në kuadër të misionit pedagogjik të projektit për promovimin e talenteve në Shqipëri. Kledis, do të interpretojë gjithashtu edhe me talente të rinj, me muzikantet, Marla dhe Elena, që janë prej shumë vitesh studente të profesoreshë Vera Tego, dhe së bashku kanë fituar shumë çmime të para në konkurse prestigjioze. "Life and Music Concept Orchestra" po jep kontributin e vet në art, duke vendosur në çdo koncert një gur në themelin e ndërtimit të një kështjelle të bukur. "Kështjellë", që sipas artistit është promovimi në rrugëtimin artistik të talenteve që trokasin në këto projekte. Janë këta studentë që një ditë do përfaqësojnë vendin tonë në botë në të ardhmen. Ky mision dhe përkushtim pedagogjik ka filluar në Shqipëri që në zanafillën e "Life and Music Concept", me mbështetjen e Presidentes së Nderit të këtij projekti, Nevila Dudaj.
Kujtojmë mundësinë që ju dha violinistes së talentuar Vesa Dume që sot vazhdon studimet në Konservatorin më prestigjioz të Parisit, së cilës ky projekt i dha mundësinë të luante si soliste në 4 koncerte brenda një jave të vetme përgjatë edicionit të parë të festivalit "Violina e Paqes". Me koncerte në sallën e Kishës Orthodokse Shqiptare, në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, në Hotel Adriatik Durrës, si dhe në shtëpinë e të moshuarve në Tiranë. Dy vite më pas misioni vazhdon me studentë të tjerë dhe me gjithmonë e më shumë miq që i bashkohen këtij projekti artistik, që sa vjen dhe pasurohet. Më 4 shtator në orën 19.00 në sheshin Nënë Tereza në Tiranë, "Life and Music Concept" premton për publikun një mbrëmje magjike për të mos u harruar kurrë.
Intervistoi: Sava Lena