Borrell (Foto Atsh)
Shefi i Punëve të Jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell, ka propozuar vendosjen e sanksioneve ndaj anëtarëve të qeverisë izraelite.
Sanksionet e propozuara synojnë ministrin izraelit të Financave, Bezalel Smotrich, dhe ministrin e Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, shkruajnë mediet gjermane, citon “ATSH”.
Si Smotrich ashtu edhe Ben-Gvir kohët e fundit kanë shkaktuar zemërim me deklaratat antipalestineze. Ata janë partnerë të koalicionit të ekstremit të djathtë të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu. Të dy zyrtarët janë avokatë të politikës së vendbanimeve në territoret e pushtuara, të cilën gjykata më e lartë e OKB-së e konsideron të paligjshme.
Ben-Gvir kohët e fundit bëri thirrje për t’i dhënë fund dërgesave të ndihmave në Rripin e Gazës në mënyrë që të ushtrohet presion ndaj organizatës militante palestineze, Hamas.
Smotrich bëri një deklaratë të ngjashme, duke sugjeruar një bllokadë të mundshme të ndihmës derisa të liroheshin të gjithë pengjet izraelitë të mbajtur nga Hamasi. Ai e përshkroi këtë si të justifikuar moralisht, edhe nëse kjo nënkupton rrezikimin e jetës së dy milionë njerëzve në Rripin e Gazës.
Sipas Izraelit, Hamasi ende mban 107 pengje në Gaza.
Të paktën një e treta e tyre besohet se nuk jetojnë më.
Lufta e Gazës u ndez nga sulmi i udhëhequr nga Hamas më 7 tetor, ku u vranë 1200 persona. Që atëherë, bombardimet ushtarake izraelite të Gazës kanë vrarë më shumë se 40.000 njerëz, mes tyre mijëra fëmijë, sipas zyrtarëve lokalë të shëndetësisë. (Irma)