Ministrja Manastirliu (Foto Atsh)
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, deklaroi se në të gjithë vendin janë 25 objekte arsimore që kanë përfunduar dhe janë të gatshme për vitin e ri shkollor 2024-2025, ndërsa puna vazhdon në objekte të tjera, të cilat pritet të përfundojnë brenda këtij viti shkollor, shkruan “ATSH”.
Ndërsa vizitoi një gjimnaz në Vorë, i cili ka pësuar një ndryshim rrënjësor falë investimit të qeverisë shqiptare, ministrja Manastirliu tha se mësuesit tashmë do të kenë kushte pune shumë të mira për të realizuar planet e tyre mësimore, sidomos në lëndët shkencore, pasi janë ndërtuar 4 laboratorë të veçantë për kimi, fizikë, biologji dhe informatikë.
Po ashtu, sipas saj, investimet në ambientet sportive do të mundësojnë zbatimin e programit “Shkolla, qendër komunitare”, duke i ofruar kështu komunitetit të Vorës një mundësi të re për t’u angazhuar në aktivitetet sportive.
“Kjo shkollë e rilindur është pjesë e një investimi të gjerë në infrastrukturën arsimore të bashkisë Vorë, ku janë rindërtuar gjithsej 6 shkolla dhe 3 kopshte, duke përfshirë financimet nga buxheti i shtetit dhe programi “EU4School”. Përfitues të këtyre investimeve janë 1700 nxënës dhe 127 mësues”,- deklaroi ministrja.
Përveç infrastrukturës shkollore, është siguruar dhe shpërndarja e librave falas për nxënësit e kësaj shkolle. Në gjithë vendin janë rreth 238 mijë nxënës që do të përfitojnë librat falas, përfshirë nxënësit e klasave I-IX dhe 12.500 nxënës të gjimnazeve të cilët janë pjesë e kategorive sociale me mbështetje ekonomike, pa mbështetje prindërore, fëmijë me aftësi të veçanta dhe ata nga komuniteti rom dhe egjiptian. (Irma)