Starmer - Scholz (Foto Panorama)
Kryeministri britanik, Keir Starmer, shprehu shqetësimin për kërcënimin në rritje që paraqesin grupet e ekstremit të djathtë në Britani dhe u bëri thirrje partive politike progresiste në të gjithë Europën që të punojnë së bashku për të përballuar këtë sfidë të përbashkët, shkruan “Panorama”.
Britania u përfshi nga protestat kundër emigrantëve në fillim të muajit, pasi një sulm vdekjeprurës me thikë në një klasë vallëzimi për fëmijë u pasua nga pretendimet e rreme, të mbështetura nga elementët e së djathtës ekstreme, se sulmuesi ishte një azilkërkues mysliman.
Gjatë një vizite në Gjermani, ku Alternativa për Gjermaninë, një parti kundër emigracionit është forcuar, kryeministri britanik deklaroi se populizmi do të zbehet nëse përmirësohen kushtet për njerëzit. Ai premtoi se në Britani një gjë e tillë do të realizohet përpara se të përfundojë mandati i tij i parë.
Partia Laburiste e qendrës së majtë e Starmer arriti një fitore dërrmuese në zgjedhje në fillim të korrikut, në kontrast me fitoret e fundit nga e djathta ekstreme në Europë. Por, trazirat kundër emigrantëve ishin kriza e parë madhore për qeverinë e tij.
Vizita e tij në Gjermani synon rigjallërimin e marrëdhënieve të Britanisë me një nga aleatët e Bashkimit Europian. (Irma)