Ministri Gonxhja (Foto Atsh)
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, deklaroi se dikasteri që ai drejton po vlerëson dy strategji të diplomacisë ekonomike, që mund të sjellin përfitime në drejtim të investimeve të huaja direkte, si dhe në zgjerimin përtej kufijve kombëtarë të sipërmarrjeve më të suksesshme vendase, shkruan “ATSH”.
“E para lidhet me Paketën e Maleve (ose Investo në Tokën Tënde), e cila do të prezantohet zyrtarisht së shpejti. Kjo paketë synon të ofrojë një qasje alternative për tërheqjen e investimeve direkte të diasporës dhe orientimin e tyre për zhvillimin e zonave malore në Veri të vendit. Nisma e dytë, e cila është ende në fazë konceptimi, lidhet me mbështetjen e sipërmarrjeve të ndryshme shqiptare që janë provuar të suksesshme lokalisht në industri të ndryshme, për të zgjeruar veprimtarinë e tyre në vendet fqinje”,- theksoi Gonxhja.
Ai theksoi se beson se shqiptarët e diasporës duhet të kenë një rrugë të shpejtë dhe stimuj konkretë për të investuar në Shqipëri.
“Qëllimi ynë është që ata ta shohin vendin jo vetëm si atdheun e tyre, por edhe si një mundësi të artë për investim dhe zhvillim. Bashkë mund të krijojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë”,- u shpreh ministri Gonxhja. (Irma)