Jorida Tabaku ndërmerr nismë ligjore për mbrojtjen e konsumatorit në sektorin bankar
2024-08-30 11:28:18

Jorida Tabaku (Foto Atsh)

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ndërmarrë një nismë ligjore për një paketë të plotë në fushën e mbrojtjes së konsumatorit në sektorin bankar.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Tabaku u shpreh se prej disa javësh, shqiptarët janë përballur me realitetin e trishtë që u ka marrë bashkëqytetarëve pronat, kursimet dhe, fatkeqësisht, edhe jetën, shkruan “ATSH”.

“Një grup përmbaruesish, mbledhësish të kredive të këqija dhe përfitues imoralë të një legjislacioni me shumë boshllëqe mbledhin kambialet e borxhlinjve duke përdorur dhe shfrytëzuar në maksimum vuajtjet dhe nevojat e tyre. Të njëjtët persona menduan boshllëqet ligjore të mikrokreditimit dhe licencimit të shoqërive të borxhit të keq si një hapësirë ligjore abuzive. Përfituan nga mungesa e rregullimit të një zone gri, që kishte hapur një derë abuzimi, për të shpartalluar të ardhurat e qytetarëve përmes kamatave abuzive dhe kriminale, që kalonin nivelin e borxhit. Duke përdorur mbi të gjitha hapësirën ligjore dhe një fushë tërësisht të paorientuar në mbrojtjen e konsumatorit, kësaj radhe kredimarrësit”, theksoi Tabaku.

Fatkeqësisht, sipas saj, institucionet që duhet të mbikëqyrnin me imtësi të plotë situatën dhe të kontrollonin sjelljen e këtyre institucioneve financiare, si Banka e Shqipërisë, bënë sikur nuk e panë situatën.

Duke folur për nismën e ndërmarrë prej saj, Tabaku tha se ajo ka për qëllim vetëm mbrojtjen e kredimarrësve nga praktikat grabitqare të huadhënies dhe veprimeve kriminale që nënkupton edhe përafrimin e gjithë legjislacionit për shërbimet financiare.

“Do të angazhoj energjitë në atë që mendoj dhe besoj se është detyra parësore e Kuvendit: mbrojtja e qytetarëve dhe interesit të tyre. Kjo nismë ka në thelb përshtatjen dhe jo vetëm një ligj për mikrokreditë, financimin e “FinTech” dhe kamatës sipas standardeve të Bashkimit Europian”,- theksoi ajo.

Sipas Tabakut, kjo nismë i shërben domosdoshmërisht një tregu të etur për rregull dhe sundim të ligjit.

“Detyra e një deputeti në Kuvend është që të mbrojë interesat e publikut dhe njëkohësisht të jetë pararojë dhe të propozojë ndryshime ligjore apo ligje të reja për ta mbrojtur këtë interes. Prandaj, së bashku me një grup specialistësh që janë bipartizanë, kam ndërmarr, që prej fillimit të këtij muaji, një nismë që do të kurorëzohet në javët në vijim për të mbrojtur të drejtat e konsumatorëve në fushën e shërbimeve financiare”,- deklaroi deputetja Tabaku. (Irma)