Kancelari Scholz: Gjermania do të parandalojë emigracionin e parregullt, por jo të drejtën e azilit
2024-08-30 16:58:20

Kancelari gjerman (Foto Rtsh)

Kancelari gjerman (Foto Rtsh)

Kancelari gjerman Olaf Scholz premtoi masa të reja për të parandaluar emigracionin e parregullt, por përjashtoi pezullimin e të drejtave të azilit, mes thirrjeve nga partitë opozitare për një rishikim drastik të politikës së emigracionit, shkruan “RTSH”.

“E drejta individuale për azil do të mbetet në fuqi. Kjo është në Kushtetutën gjermane dhe askush nuk mund të marrë mbështetjen time për ta sfiduar këtë”,- tha Scholz, pasi opozita e udhëhequr nga Kristiandemokratët (CDU) propozoi “de facto” ngrirje të pranimit të refugjatëve.

Scholz njoftoi se policia do të kryejë më shumë kontrolle në kufijtë tokësorë dhe do të vendosë masa më të rrepta për të dëbuar shkelësit e dhunshëm, por hodhi poshtë thirrjen e opozitës për refuzimin e plotë të të gjithë azilkërkuesve që vijnë nga Siria dhe Afganistani.

“Nuk do të shkelim traktatet ndërkombëtare të nënshkruara nga Gjermania, do t’i përmbahemi ligjit të Bashkimit Europian dhe sigurisht Kushtetutës së vendit”,- tha kancelari socialdemokrat gjatë një interviste televizive, duke shtuar se masat kundër emigrantëve të paligjshëm dhe shkelësve të dhunshëm nuk duhet të dëmtojnë refugjatët, të cilët vërtet kanë nevojë për mbrojtje në Gjermani. (Irma)