Shefi i Natos (Foto Atsh)
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se rritja e ndihmës ushtarake është thelbësore për aftësinë e Ukrainës për të përballuar konfliktin me Rusinë, shkruan “ATSH”.
“Ukraina vazhdon të përgjojë raketat ruse çdo ditë, duke shpëtuar jetë të panumërta. Por aftësia e Ukrainës për të ruajtur mbrojtjen e saj kërkon rritje të furnizimeve dhe mbështetje më të madhe”,- tha Stoltenberg.
Pas sulmeve të rënda ajrore të fundit ruse, Stoltenberg thirri një takim të ambasadorëve të aleatëve të NATO-s në Bruksel me kërkesë të Ukrainës për të diskutuar nevojat e vendit për mbrojtjen ajrore.
Duke folur përmes lidhjes video, ministri ukrainas i Mbrojtjes, Rustem Umerov, i informoi ambasadorët dhe Stoltenberg mbi situatën dhe prioritetet e Ukrainës për pajisjet ushtarake.
“Aleatët përsëritën se po rrisin ndihmën e tyre ushtarake për Ukrainën”,- tha Stoltenberg në deklaratën e tij pas takimit, duke theksuar rëndësinë e rritjes së furnizimeve pa dhënë detaje. (Irma)