Ekonomia digjitale e Shqipërisë
2024-08-30 10:52:57

Digjitalizimi si proces nënkupton automatizimin dhe shkëmbimin e të dhënave përmes internetit, në nivel rajonal dhe global, duke përmirësuar ndjeshëm efiçiencën në prodhim dhe tregtim të mallrave dhe shërbimeve në një vend të caktuar.

Ekonomia digjitale e Shqipërisë është një pjesë e mirë dhe shumë e rëndësishme e ekonomisë kombëtare. Ajo është rritur me shpejtësi gjatë viteve të fundit dhe një tregues domethënës i kësaj rritjeje është shtimi me mbi tre herë i numrit të start-up-eve shqiptare dhe i kompanive FinTech, në krahasim me vetëm katër vite më parë.

Agjencia për mbështetjen e start-upeve (Foto Geek Room)

Agjencia për mbështetjen e start-upeve (Foto Geek Room)

Po ashtu, digjitalizimi dhe platformat online po përdoren me sukses në ekonominë e turizmit, përmes platformave AirBnb dhe Booking, ose në agroturizëm, përmes faqeve online të pronotimeve të bujtinave shqiptare.

Zhvillimet e ditëve të sotme të internetit, sistemeve kibernetike, sistemeve të serverëve, rrjeteve te mediave sociale etj. kanë mundësuar shkëmbimin e shpejtë të vëllimeve të informacionit edhe në ekonominë e Shqipërisë.

Lidhja në internet dhe teknologjitë e reja të aplikuara nga një pjesë e mirë e kompanive shqiptare me partnerët e tyre të huaj, ka rritur rrit nivelin e implementimit të teknologjisë dhe të shpërndarjes në kohë reale të informacionit në kompanitë private dhe shtetërore, që përbëjnë shtyllën kurrizore të ekonomisë së vendit.

Digjitalizimi i pagesave (Foto Open News)

Digjitalizimi i pagesave (Foto Open News)

Digjitalizimi paraqitet në një nivel të lartë në të gjitha institucionet financiare në Shqipëri, të tilla si banka, kompani sigurimi, kompani investimi pensionesh, bursa e kapitaleve e Tiranës, bursa energjitike ALPEX, etj..

Një pjesë e grupeve financiare të vendit janë ose pjesë e grupeve të fuqishme financiare ndërkombëtare, si banka te huaja, etj., ose janë partnerë me këto grupe.

Kjo ka sjellë që teknologjinë digjitale, të cilën këto grupe të fuqishme financiare janë ndër të parët që e implementojnë, ta sjellin në të njëjtën kohë, ose brenda një kohe të shkurtër, edhe në investimet apo partnerët e tyre në Shqipëri.

Niveli në rritje i shërbimeve financiare, sidomos i operacioneve bankare, që pasqyrohet në digjitalizimin e shpejtë  të shërbimeve bankare, në rritjen e numrit të terminaleve të shitjeve POS, të bankomatëve, si dhe në masivizimin gjithnjë e në rritje të përdorimit të kartave të debitit dhe kreditit nga qytetarët shqiptarë, si dhe, së fundmi, të aplikacioneve bankare online.

Nga ana tjetër, fuqizimi i sektorit të “call center”-ave në Shqipëri, sektor i cili punëson mbi 25 mijë të rinj shqiptarë, ka sjellë zgjerimin e bazës digjitale të ekonomisë sonë. Këto kompani shfrytëzojnë digjitalizimin, për të transferuar një pjesë të shërbimeve nga vendet me nivel të lartë pagash drejt Shqipërisë,  ku niveli i pagave është më konkurrues. 

Ndërkohë, digjitalizimi i shërbimeve publike dhe ofrimi i tyre online për qytetarin është një nga investimet më të rëndësishme të qeverisë shqiptare. Ai ka lehtësuar qytetarët nga kostot financiare, barra e radhëve dhe humbja e kohës, me procedurat burokratike të marrjes së vërtetimeve të ndryshme në mënyrë fizike. Nga 1 Maji i vitit 2022, 95 përqind e të gjitha shërbimeve publike të administratës shtetërore të Shqipërisë kaluan online, përmes portalit e-Albania.

Eksperti Erion Demiri në intervistë për CMG

Eksperti Erion Demiri në intervistë për CMG

Sipas INSTAT, sot kemi online 1227 shërbime që jepen nga 83 institucione shtetërore, përmes 58 regjistrave digjitalë. Në “e-Albania” janë rregjistruar 2.8 milionë përdorues, nga të cilët 220 mijë janë biznese.

Shqipëria ka sot një infrastrukturë të mbulimit të shërbimeve online në 99.9 % të territorit, ndërsa prioritet i punës së qeverisë shqiptare është përmirësimi i cilësisë së ofrimit të shërbimeve online, zgjerimi i tyre edhe për shërbimet vendore në të 61 bashkitë e vendit, si dhe ulja e ekonomisë cash. Në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës Erion Demiri, ekspert i teknologjisë së informacionit dhe digjitalizimit komenton ecurinë e ekonomisë digjitale në Shqipëri

CMG: Sa kemi arritur deri tani të ndihmojmë realisht start-up-et në fushën e teknologjisë së informacionit dhe sipërmarrjet FinTech? Cilat janë sfidat e së ardhmes së afërt për to?

Erion Demiri: Duhet të kemi parasysh se jo pa arsye shikohet drejt startup-eve.  Po shkohet drejt tyre, pasi ato janë kompani të cilat vijnë nga persona të rinj, me ide novatore, sidomos nga fusha e teknologjisë së informacionit.

Janë këta persona që krijojnë shërbime dhe teknologji të reja, të cilat janë një motor i rëndësishëm, kur bëhet fjalë për zhvillimin digjital në përgjithësi.

Kjo është arsyeja që në Shqipëri këto vitet e fundit, ka patur një ngritje të vëmendjes në këtë drejtim.  Megjithatë, ka shumë startup-e që janë financuar, por që fatkeqësisht nuk shikojmë gjurmë të tyre në vazhdimësi.

Pra, kemi patur dhe vazhdojmë të kemi financime dhe këto nuk mungojnë më si më parë. Mirëpo, sasia e shërbimevë që kanë ardhur nga këto kompani ka qenë ende pa impakt në fushën e teknologjisë.

Prandaj dhe duhet parë më shumë tek monitorimet, se çfarë  impakti përcjellin këto për ekonominë dhe shoqërinë.

CMG: Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në gjashtë muajt e parë janar-qershor 2024, patëm 8.85 milionë pagesa me kartë në terminalet elektronike, aparatet POS të shitjes, ose 36 përqind më shumë se periudha janar-qershor 2023. Sa është digjitalizuar ekonomia jonë financiare dhe bankare, sipas jush?

Erion Demiri: Është e vërtetë që kemi një rritje, dhe që normalisht kjo rritje do të vinte. Kjo, për arësye se Shqipëria ishte me mbrapa me pagesat online dhe pagesat elektronike në përgjithësi.

Pra, ne kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi të lidhur me paranë në portofol. Sigurisht që kjo rritje e përdorimit të pagesave me karta tregon që kemi një ndryshim në mendësi, sepse janë bërë disa politika edhe nga bankat dhe nga Banka e Shqipërisë, për të lehtësuar përdorimin e kartave.

Pikë së pari, janë ulur tarifat,  Dhe kjo gjë automatikisht, me lehtësitë, pra me faktin që ti kudo ke mundësi të kryesh pagesa të tilla, të sjell rritje.

Kjo është e rëndësishme, pasi kemi të bëjme me siguri më të lartë dhe shpejtësi më të madhe. Pra, është normale që, duke parë vendet më të zhvilluara se ne, edhe ne të kemi një përqafim të këtyre teknologjive digjitale.

CMG: Në qershor 2024, si vend kemi aplikuar për në SEPA. A na ndihmon futja në këtë strukturë financiare evropiane, në rrugën tonë drejt digjitalizimit të shpejtë të mbarë ekonomisë sonë?

Erion Demiri: SEPA është një organizim tejet interesant, sepse të jep mundësi që, brenda shteteve të Bashkimit Evropian (në fakt, ka edhe shtete që nuk janë në BE, si ne), pra të jep mundësi të bësh pagesa në euro, por shumë më të thjeshta.

Për shembull, një person që lëviz nga Shqipëria dhe shkon të jetojë në një  shtet tjetër, mund të marrë të njëjtën llogari bankare dhe ta përdorë, përmes SEPA-s, sikur të ishte në Shqipëri.

Pra, është lehtësi e madhe e transaksioneve, jo nëpërmjet kartave të debitit apo kreditit, por ama sjell lehtësi të madhe.

Dhe kur shikohen përfitime të tilla në lehtësi, shpejtësi dhe kohë dhe dihet që koha është e para. Atëhere, është e qartë se futja në SEPA sjell ndryshim të madh.

Anëtarësimi do të prekë shumë pozitivisht të gjithë sektorët që merren me pagesa nëpërmjet bankës.

Start-up-et (Foto Gazeta Panorama)

Start-up-et (Foto Gazeta Panorama)

CMG: Në gjykimin tuaj, me përhapjen dhe masivizimin e shërbimeve online tek ne, sa më të ekspozuar jemi ndaj sulmeve kibernetike dhe ç’duhet të bëjmë për t’u mbrojtur më mirë? Nga ana tjetër, si janë përshtatur deri tani moshat e treta, me kalimin e shërbimeve publike në 95 përqind të tyre online dy vite më parë?

Erion Demiri: Ka qenë gjithmonë një diskutim, që është bërë në varësi të asaj se sa do ta përqafojmë ne teknologjinë e re, sa do të kalojmë në shërbime online dhe sa kjo na ekspozon ndaj sulmeve kibernetike.

Sigurisht, peshorja ka anuar nga ecja përpara e teknologjisë. Sepse nuk mund të rrimë pre e faktit se një ndryshim pozitiv mbart edhe rreziqe dhe ne mbetemi mbrapa. Peshorja ka anuar nga fakti që shërbimet do të kalojnë gjithnjë e më shumë online. Këtu, shpejtësia, siguria, përfitimet janë parë.

Por, nga ana tjetër,  kemi ekspozim ndaj sulmeve kibernetike, kemi disa sektorë të institucioneve shtetërore që janë sulmuar dy vite më parë. Por kemi edhe sektorin financiar privat, i cili ka qenë në fokusin e sulmeve kibernetike.

Mirëpo, me uljen e kostove në të tjera fusha, kjo sasi fondesh ka kaluar në mbrojtjen kibernetike. Dhe nuk është se kemi një ekspozim të tepërt nga ana institucionale. Megjithatë, punë bëhet vazhdimisht.

Për sa i përket popullatës tek moshat e treta , që i mbanin paratë e tyre në shtëpi, përdorimi i mënyrave të reja me kartat, rrit elementin e sigurisë dhe duhet një informacion më i shtuar për ruajtjen e kartës, të PIN-it të saj, e kështu me radhë.

CMG: Si po përshtaten bizneset shqiptare me sfidat e digjitalizimit? Sa digjitale ndihen sot ato?

Erion Demiri: Digjitalizimi, pra prezenca online e bizneseve është zgjeruar ndjeshëm te ne. Mirëpo, sidomos kur bizneset janë të vjetra, mendësia e personave drejtues shkon drejt mënyrave të vjetra.

Megjithatë, gjatë këtyre 3-4 viteve të fundit, po të shikojmë fokusin ndaj sulmeve kibernetike, kemi ndryshim të madh, që nga korporatat e deri tek bizneset më të vegjël, që, edhe pse ndoshta nuk i kanë fondet e duhura, prapë po bëjnë sa është e mundur .

Përsa i përket pranisë online,  reklamave që bëjnë bizneset, vëmë re që të gjithë po ndryshojnë. Të gjithë kanë parë që kanë të bëjnë me një fushë interesante, që ka një  kosto më të ulët, ndërkohë që të bën të kesh një prezantim dinjitoz në tregun botëror.

CMG: Si e shikoni të ardhmen e ekonomisë sonë digjitale?

Erion Demiri:  Kemi një moment, që në të gjithë botën është ndjerë këto 3 vitet e fundit, për shkak të pandemisë. U pa që u ndryshua komplet qasja ndaj punës online, pra se si njerëzit mund të punonin.

Dhe kemi patur ndryshime të mëdha në të gjitha fushat në këtë pikë. Këta që në gjithë botën quhen nomadë digjitalë, më përpara nuk kanë ekzistuar. 

Ekzistonin në një formë tjetër, dhe nuk njiheshin me këtë emër specifik. Po ashtu, edhe legjislacioni nuk ishte i përshtatur për këtë grup personash.

Tek ne kemi patur një ndryshim në ligj, për të shfrytëzuar të mirat që ne mund të marrim nga persona të tillë.

Kjo është fushë dinamike dhe për sa kohë shikojmë se ç’bëhet në botën që na rrethon, duhet të shikojmë të reagojmë edhe me legjislacionin.

Dhe sigurisht që këto gjëra janë pozitive.

Intervistoi Fatos Çoçoli