Mbledhja e dytë ndërqeveritare Shqipëri-BE pritet të mbahet brenda pak javësh
2024-08-30 17:48:25

Flamujt e Shqiperise dhe BE-se  (Foto Atsh)

Foto Atsh

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, deklaroi se Shqipëria është gati për mbajtjen e Konferencës së dytë Ndërqeveritare me Bashkimin Europian, shkruan “ATSH”.

Në një bashkëbisedim me gazetarët, ministri Hasani tha se po punohet që konferenca të zhvillohet brenda pak javësh deri në fillim të tetorit.

Ministri Hasani u shpreh se Shqipëria ka qenë gati prej një viti.

“Grupkapitulli i parë është tashmë i përfunduar, i qartësuar, i negociuar me komisionin dhe thjesht pret këtë mekanizëm për t’u cilësuar i hapur. Jemi gati edhe për dy grupkapituj të tjerë”,- deklaroi kryediplomati shqiptar.

Sipas tij, kryenegociatorja dhe ekipi negociator po punojnë intensivisht në mënyrë që pengesat politike mos të ndërhyjnë tek axhenda teknike.

Ai u shpreh optimist që kjo vjeshtë më së fundi do të çojë shumë gjëra përpara, do të zhvillojë shumë mekanizma të mirë dhe se vendi do të jetë i përgatitur me konfigurimin e ri të KE-së që të ecë shumë shpejt dhe pa ndalesë në rrugëtimin me fokus BE-në. (Irma)