Panairi i Librit Ulqin 2024 nderon me çmim përkthyesin Iljaz Spahiu
2024-08-30 10:06:45

Në qytetin bregdetar të Ulqinit u  zhvillua nga 15-19 gusht  edicioni i 23-të i Panairit të Librit, një event i rëndësishëm kulturor, ku paraqitën botimet e tyre 50 ente botuese nga Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje Hercegovina. Në këtë ngjarje madhore për kulturën shqiptare, sinologut Iljaz Spahiu iu akordua Çmimi “Servantes” për përkthimin e romanit “Njeriu që shet gjak” të autorit bashkëkohor kinez Yu Hua. Për këtë çmim prestigjioz, repertorin e përkthimeve të tij ndër vite nga letërsia dhe kultura kineze dhe shkëmbimet kulturore shqiptaro-kineze, sinologu Iljaz Spahiu flet në intervistë për CMG.

Sinologu Iljaz Spahiu në intervistë për CMG

Sinologu Iljaz Spahiu në intervistë për CMG

CMG: U zhvillua në Ulqin të Malit të Zi nga 15-19 gusht Panairi i librit, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në vendin fqinj. Në këtë edicion të 23-të të Panairit të librit në Ulqin kanë marrë pjesë 50 botues si dhe janë zhvilluar takime, ceremonia zyrtare e hapjes së Panairit, autorë të shumtë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, ndër të cilët dhe botues shqipfolës.Iljaz Spahiu u nderua në këtë Panair me Çmimin “Servantes” për përkthimin e romanit “Njeriu që shet gjak” të autorit bashkëkohor kinez Yu Hua. Jeni i vetmi që keni bërë të flasin shqip autorët më në zë të letërsisë dhe të kulturës kineze. Si e vlerësoni këtë çmim?

Iljaz Spahiu: Panairi i librit i Ulqinit është mjaft i rëndësishëm dhe gjithëpërfshirës ku merr pjesë shumica e vendeve të Ballkanit dhe vetëm ky fakt tregon se kultura është gjithmonë në pararojë të integrimeve. Merrnin pjesë shtëpi botuese nga pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit dhe ishte bukur të shihje shkëmbimet që këto shtëpi botuese kanë.

Çmimi “Servantes” për përkthimin e librit “Njeriu që shet gjak” i autorit bashkëkohur mjaft të njohur kinez Yu Hua për mua ishte shumë domethënës sepse ishte çmimi i pare që merrja në Shqipëri pas çmimit special që më është akorduar nga autoritetet  kineze. Ky çmim për mua do të thotë shumë se është një vlerësim për përkthimet e mia në gjuhën shqipe. “Njeriu që shet gjak” është një libër mjaft interesant dhe është pritur mjaft mire nga lexuesit shqiptarë. Ky çmim shënon një arritje mjaft të rëndësishme në karrierën time si përkthyes, pasi unë jashtë modestisë, jam sinologu i vetëm që kam përkthyer në shqip autorë të letërsisë dhe kulturës kineze për lexuesit shqiptarë. Nuk më vjen mire për këtë sepse dua të ketë dhe përkthyes të tjerë të gjuhës kineze. Puna e përkthyesit është me rëndësi sepse lidh civilizimet dhe siç ka thënë Pushkimi “Përkthyesit janë kuaj karroce të civilizimeve” .

Ishte një përkthim i vështirë por jam i nderuar që ky çmim mu akordua nga Panairi i Librit i Ulqinit, sepse është një panair dinjitoz, ku marrin pjesë shtëpi botuese ndër më të mirat e Ballkanit. Juria që bëri përzgjedhjen përbëhej nga personalitete, figura të njohura të letërsisë dhe të kritikës letrare. Ky çmim është dhe një nxitje për përkthime të mëtejshme dhe për vazhdimin e këtij bashkëpunimi që ne kemi me Kinën në fushën e përkthimeve dhe të botimeve.

Ky çmim është rezultat i bashkëpunimit në kuadër të Programit të botimeve dhe përkthimeve reciproke në të dy vendet, i cili ka dhënë rezultate të jashtëzakonëshme që nga viti 2015 kur ka filluar.

Çmimi Servantes akorduar sinologut Iljaz Spahiu

Çmimi Servantes akorduar sinologut Iljaz Spahiu

CMG: Ka patur një boshllëk para kësaj periudhe sa i përket njohjes reciproke të kulturës, letërsisë, por sidomos për librin

Iljaz Spahiu: E vërtetë, nëse në fusha të tjera ka patur shkëmbime libri ka qenë një fushë e pashkelur, kohë kur ka patur përkthime sporadike nga rusishtja apo gjuhë të tjera.  Falë këtij programi është bërë i mundur përkthimi i mbi 100 veprave.

CMG: Janë bërë të njohura këto vepra dhe i kemi pare jo vetëm në Panairin e librit në Shqipëri, por dhe në Panairin e librit në Pekin, që zhvillohet çdo qershor. Ju i keni numëruar veprat që keni përkthyer nga letërsia kineze, a keni “një inventar”  të tyre?

Iljaz Spahiu: Duhet të jenë rreth 20 libra që unë kam përkthyer nga gjuha kineze, jo vetëm letërsi. Janë dy vepra të shkrimtarit Nobelist kinez Mo Yan “Bretkoca” dhe “Klani i Sorgumit të Kuq” , si dhe dy vepra të shkrimtarit të mirënjohur kinez Yu Hua “Njeriu që shet gjak” dhe “Të jetosh”. Për mua është tepër i rëndësishëm dhe përkthimi i një vepre tepër të rëndësishme të filozofisë kineze, që mund të quhet “Bibla e Kinës”, bëhet fjalë për “Tao Te Ching” vepër e filozofit Lao Tzu, si dhe 5 volume të librit  “Koncepte të mendimit dhe kulturës kineze” , që ndoshta dhe do të vazhdojnë. Gjithashtu kam përkthime në fushën e ekonomisë, politikës pa harruar dhe një fjalor të kinezishtes së përditëshme në shqip, që e kam përkthyer në fillimet e mia.

CMG: Veprat letrare janë më të prekshme krahasuar  me shkëmbime të tjera si tregtare, diplomatike etj. Cilat vepra të përkthyera nga ju në kinezisht  do të veçoni si të preferuara nga lexuesit shqiptarë?

Iljaz Spahiu: Libri i pare që kam përkthyer ka qenë “Bretkoca” e Nobelistit kinez Mo Yan, i cili jashtë parashikimit tim është pritur mjaft mire.

CMG: Ndikon fakti që është Nobelist?

Iljaz Spahiu: Edhe ndikon, por më është thënë gjithmonë që është përkthyer shumë mire. Pas boshllëkut të letërsisë kineze tek ne dalja e këtij libri në shqip ishte shumë e mirëpritur.

Iljaz Spahiu dhe nobelisti kinez Mo Yan (Foto Facebook)

Iljaz Spahiu dhe nobelisti kinez Mo Yan (Foto Facebook)

CMG: Kjo ndoshta ka ndikuar që lexuesi shqiptarë të kërkojë jo vetëm vepra të Mo Yan, por dhe të autorëve të tjerë kinezë.

Iljaz Spahiu: Sigutisht, ky është dhe synimi. Përveç autorëve Mo Yan dhe Yu Hua unë dua që të përkthej dhe autorë të tjerë.

CMG: Shkrimtari kinez Yu Hua e di që ju keni marrë këtë çmim për përkthimin e veprës së tij në shqip?

Iljaz Spahiu: Po e kam njoftuar. Me Yu Hua kam patur komunikim përpara se të botohej ky libër, sepse kam komunikuar me të për librin e pare të tij “Të jetosh” që e kam përkthyer në shqip. Po ashtu komunikim kam patur dhe me Nobelistin Mo Yan, të cilin e kam vizituar në shtëpinë e tij. Ai e priti shumë mire këtë ngjarje dhe më uroi, ndërsa unë i thashë se suksesi është i përbashkët.

Kam dëshirë dhe e kemi patur në plan të organizojmë një vizitë të shkrimtarit kinez Yu Hua në Shqipëri. Ai e ka mirëpritur dhe nëse do të arrijë të organizojë një turne në vendet e Ballkanit apo Europës, mund ta vizitojë dhe Shqipërinë. Gjithashtu kam biseduar me Shtëpinë Botuese  “Onufri”, të cilët janë shumë të interesuar për këtë. Ai ka disa libra të tjerë shumë interesantë, që ndoshta mund t’i përkthej. Yu Hua është një autor moder që shkruan thjesht por bukur.

CMG: Ju si sinolog jeni “një prodhim” i marrëdhënieve 75 vjeçare midis Shqipërisë dhe Kinës. Falë kësaj marrëdhënieje krahas profilit tuaj si gazetar, jeni dhe sinolog. Si i vlerësoni shkëmbimet kulturore midis dy vendeve, edhe si drejtues i Shoqatës Kulturore AlbChina?

Iljaz Spahiu: Lidhja ime me Kinën është shumë e konsoliduar dhe unë me krenari e ndjej veten më shumë sinolog. Me kremtimin e 75 vjetorit të marrëdhënieve midis dy vendeve nëse themi se këto marrëdhënie vazhdojnë të jenë të mira, kontributi kryesor është i shkëmbimeve kulturore.

Marrëdhëniet Shqipëri-Kinë kanë arritur t’i rezistojnë të gjitha periudhave, të gjitha ndryshimeve dhe nëse marrëdhëniet dypalëshe kanë qenë ideologjike, lidhja mes dy popujve nuk ka ndryshuar. Kjo lidhje shpirtërore dhe marrëdhëniet kulturore kanë konsoliduar marrëdhëniet mes vendeve tona.

Marrëdhëniet kulturore nuk janë ndikuar nga ndryshimet politike apo ideologjike dhe kanë mbijetuar deri në ditët e sotme. Falë këtyre marrëdhënieve kulturore kinezët e njihnin shumë mire Shqipërinë, ata njihnin filmat shqiptarë, kulturën dhe artin shqiptar. Këto shkëmbime kulturore janë tabani i zhvillimit dhe forcimit të marrëdhënieve mes shteteve tona.

Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kinës janë një rast tipik se si marrëdhëniet kulturore kanë ndikuar në konsolidimin dhe në çuarjen përpara të shkëmbimeve mes dy vendeve.

Iljaz Spahiu në ceremoninë e çmimeve të përkthimit në Kinë (Foto Facebook)

Iljaz Spahiu në ceremoninë e çmimeve të përkthimit në Kinë (Foto Facebook)

CMG: Akualisht si paraqiten marrëdhëniet kulturore shqiptaro-kineze?

Iljaz Spahiu: Janë intensive, për më tepër në fushën e përkthimit dhe botimit të librit . Ka qenë një dobësi qoftë në Shqipëri apo në Kinë njoha midis dy vendeve, por aktualisht ka shkëmbime arsimore, shkëmbime mes të rinjve, mes gazetarëve.

CMG: Një ndikim të madh në shtimin e njohjes reciproke luan dhe teknologjia, rrjetet sociale

Iljaz Spahiu: Absolutisht!. Kinezët për këtë kanë një shprehje “ 100 të dëgjuara nuk vlejnë sa një e pare”. Kur e sheh vetë një vend dhe impakti është krejt ndryshe. Prandaj shkëmbimet, pavarësisht teknologjisë, janë të domosdoshme.

CMG: Edhe shkëmbimet në fushën e turizmit kontribuojnë në shtimin e njohjes dypalëshe. Turistët kinezë dallohen si turistë kulturorë, sepse u intereson të njohin kulturën, historinë dhe artin e një vendi. Vizitat e turistëve kinezë që po shtohen në Shqipëri do të ndikojnë në shtimin e shkëmbimeve dypalëshe

Iljaz Spahiu: Turistët gjithashtu sjellin dhe përçojnë kulturën e një vendi. Turistët kinezë janë të interesuar për turizmin kulturor, për vendet që kanë lidhje me Kinën. Turizmi kulturor do të ndihmojë forcimin e marrëdhënieve dhe të shkëmbimeve kulturore.

CMG: Si çdo vit në nëntor do të zhvillohet Panairi i Librit i Tiranës. A do të jeni i pranishëm me ndonjë përkthim nga letërsia kineze?

Iljaz Spahiu: Libri “Njeriu që shet gjak” i autorit kinez Yu Hua është botuar para disa muajsh  dhe si prodhim i këtij viti do të prezantohet në këtë panair. Nëse do të ishte autori Yu Hua në panair do të ishte një surprizë për lexuesit dhe vetë panairin. Yu Hua ka patur dhe një takim me shkrimtarin tone të madh Ismail Kadare dhe kam bërë një shkrim për këtë.

Në Panair me siguri përveç librit tim do të ketë dhe libra të tjerë që janë pjesë e programit të përkthimit dhe botimit, sepse tashmë nuk është më çudi që në panaire të tillë të shohësh libra të autorëve kinezë. Prej 10 vjetësh librat e autorëve kinezë janë të pranishëm në panairet shqiptare të librit dhe jam i lumtur që lexuesit shqiptarë kanë mundësi t’i lexojnë.

Intervistoi Eda Merepeza