Greqi, 24 raste në një javë nga virusi i Nilit Perëndimor
2024-08-30 11:40:27

Mushkonje (Foto Rtsh)

Që nga fillimi i vitit, Greqia ka diagnostikuar gjithsej 124 raste të infeksionit me virusin e Nilit Perëndimor. Vetëm gjatë javës së fundit u regjistruna 24 raste të reja, sipas raportit të mbikëqyrjes epidemiologjike, shkruan “RTSH”.

Tre raste të importuara infeksioni janë regjistruar edhe në pacientë të ekspozuar në një vend tjetër, ndërsa janë regjistruar gjithsej 15 vdekje në pacientë të moshës mbi 60 vjeç.

Nga fillimi i vitit deri më 28 gusht, 95 raste të infektimit me virusin e Nilit Perëndimor janë paraqitur me manifestime në sistemin nervor qendror (encefalit, meningjit ose paraliza akute) dhe 29 raste kishin manifestime më të lehta.

Shpërthimet e infeksionit me virusin e Nilit Perëndimor ndodhin në shumë vende të botës, si dhe në shumë vende evropiane. Infeksioni te njeriu është kryesisht rezultat i pickimeve nga mushkonjat e infektuara, të cilat infektohen kur ushqehen me zogj të infektuar.  (Irma)