Ministri Hasani: Plani i rritjes i BE-së, paketë ambicioze për rritjen ekonomike
2024-08-30 10:58:34

Ministri Hasani (Foto Atsh)

Ministri shqiptar për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, deklaroi se plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor, me vlerë 6 miliardë euro, është një prej paketave më ambicioze të Bashkimit Europian për rritjen ekonomike dhe reformat në vendet e Rajonit, në mënyrë që të ecet më shpejt drejt integrimit, shkruan “ATSH”.

Në një bashkëbisedim me gazetarët, ministri Hasani tha se plani i rritjes është një mekanizëm interesant që Komisioni Europian filloi ta testonte që para 11 muajsh. Ky mekanizëm, vojoi ai, patjetër që pati angazhimin solidar të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, por pati dhe përkrahjen nga vetë vendet e BE-së, sepse bëhet fjalë për financime nga vetë vendet anëtare.

“Bëhet fjalë për 6 miliardë euro që do të vijnë në Ballkan që do të ndihmojnë reformat, institucionet. Kryenegociatorja ka gati një paketë shumë ambicioze projektesh, të cilat do të përbëjnë esencën e kualitetit të asaj që ne po ofrojmë. Paketa është impresionuese dhe do të bëjë ndryshimin e vërtetë”,- tha ministri Hasani.

Lidhur me regjistrimin e diasporës, kryediplomati shqiptar theksoi se ka qenë një angazhim i kahershëm i qeverisë dhe të gjithë mekanizmave institucionalë, për të nisur me identifikimin e numrave të shqiptarëve kudo që ata janë.

Ministri Hasani infomoi se ka pasur një proces angazhimi përmes “e-Albania”, por regjistrimi ka rezultuar në shifra tepër modeste, rreth 8000 të regjistruar.

Ai e cilësoi me rëndësi që në këtë proces të jenë të gjithë të vetëdijshëm dhe të angazhohet edhe vetë diaspora, që të maksimalizojë përpjekjet e saj, për t’u identifikuar, sepse në këtë mënyrë të gjithë do të kuptojnë realitetin se ku jetojnë shqiptarët dhe për votimet e kështu me radhë. (Irma)