Donald Trump (Foto RTSH)
Prokurorët amerikanë kanë ngritur akuza të reja kundër ish-presidentit Donald Trump, për përpjekjet e tij të supozuara për të ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2020 pasi humbi ndaj Joe Biden.
Akuzat janë në përgjigje të vendimit të Gjykatës së Lartë të SHBA-së muajin e kaluar, sipas së cilës presidentët gëzojnë imunitet të gjerë nga ndjekja penale për akte zyrtare gjatë kohës që janë në detyrë, përcjell “RTSH”.
Aktakuza e rishikuar parashtron të njëjtat akuza penale kundër Trump, por ato tani lidhen me statusin e tij si një kandidat politik dhe jo me një president në detyrë.
Trump ka mohuar akuzat për ndërhyrje në zgjedhje, megjithëse ai ka mbajtur pretendimin e tij se ka pasur mashtrim të gjerë të votuesve në zgjedhjet e vitit 2020.
Aktakuza e re, e ngritur nga këshilltari special i Departamentit të Drejtësisë, Jack Smith, lë në fuqi katër krimet për të cilat akuzohet Trump: komploti për të mashtruar SHBA-në, komplot për të penguar një procedim zyrtar, përpjekje për të penguar një procedim zyrtar dhe komplot kundër të drejtave.
Trump më parë është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat. (Elona)