Kina ka përkrahur gjithmonë me vendosmëri zbutjen e varfërisë në Afrikë
2024-08-29 16:08:27

Fjala kyçe: 贫困---[pín kùn]---varfëri

foto nga CFP

Në terrenin e Departamentit të Mësimdhënies Praktike të E-commerce të Shkollës së Biznesit pranë Kolegjit Teknologjik Profesional Jinhua në provincën Zhejiang të Kinës Lindore, studentët afrikanë nga Ruanda po praktikonin seriozisht "shitjen e mallrave ndërmjet transmetimit të drejtpërdrejt" në gjuhën kineze, më 25 qershor 2024, /foto nga CFP

Kina ka qenë gjithmonë një mbështetëse e vendosur e eksplorimit nga Afrika të rrugëve të reja të modernizimit dhe një kontribuese e rëndësishme në përpjekjet e Afrikës për të gjetur mënyra të reja të zbutjes së varfërisë, tha të hënën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Lin Jian.

Lin i bëri këto komente në një konferencë të rregullt shtypi në Pekin, në përgjigje të një pyetjeje lidhur me bashkëpunimin Kinë-Afrikë për zbutjen e varfërisë, për të cilin mediat dhe studiuesit afrikanë mendojnë që ka sjellë shpresë të re në Afrikë për realizimin e vetëmjaftueshmërisë ushqimore, zbutjen e varfërisë dhe një jetë më të mirë.

Duke vënë në dukje se zhdukja e varfërisë është misioni i përbashkët i njerëzimit dhe një aspiratë e përbashkët e popujve afrikanë, Lin tha se zbutja e varfërisë ka qenë gjithmonë një pjesë e rëndësishme e bashkëpunimit kino-afrikan.

Ai u shpreh më tej se Kina ka nisur dhe ka zbatuar 47 projekte në fushën e zbutjes së varfërisë dhe në atë të bujqësisë, ka trajnuar rreth 9 mijë punonjës bujqësorë, ka ndarë mbi 300 teknologji të përparuara e të zbatueshme dhe ka krijuar përfitime për mbi 1 milion pronarë të vegjël në Afrikë, në kuadrin e programit të zbutjes së varfërisë dhe zhvillimit bujqësor.

Studenti Obed Niyimbabazi nga Ruanda shijoi barin Juncao të butë në Fuzhou. Fuzhou,kryeqendrën e provincës Fujian të Kinës Lindore, më 12 gusht 2021. /Xinhua

Duke marrë si shembull teknologjinë e barit Juncao të Kinës, Lin theksoi se kjo teknologji u ka mundësuar qindra mijë njerëzve të rrisin të ardhurat e tyre. Për më tepër, orizi hibrid i Kinës ka ndihmuar në rritjen e rendimenteve të orizit në shumë vende afrikane nga mesatarisht 20 kuintalë në 75 kuintalë për hektar. Ekspertët kinezë po ngrenë fshatra demonstrimi të kultivimit të orizit për zbutjen e varfërisë, për të ndihmuar në realizimin e ëndrrës që "çdo gojë të ketë ushqim dhe çdo xhep  të ketë para".

Më tej zëdhënësi i diplomacisë kineze tha se parqet e bashkëpunimit bujqësor dhe fabrikat e përpunimit të produkteve bujqësore të ngritura nga kompanitë kineze, ua kanë shtuar shumë vlerën prodhimeve bujqësore vendëse.

foto nga CFP

Hekurudha Mombasa-Najrobi në Kenia, në shtator 2018 në stacionin Mombasa/ foto nga CFP

Kina ka hapur gjithashtu "kanale të gjelbra" për prodhimet bujqësore afrikane, të cilat kanë mundësuar importimin e disa produkteve bujqësore cilësore afrikane në Kinë. Në kuadrin e nismës "100 kompani në 1 000 fshatra", kompanitë kineze në Afrikë realizuan 320 projekte të përgjegjësisë shoqërore, me përfitime për mbi 10 mijë fshatra dhe komunitete. Kina ka mbajtur gjithashtu disa seminare mbi zbutjen e varfërisë dhe zhvillimin për zyrtarët afrikanë, për të ndarë përvojën e vet në uljen e varfërisë, theksoi Lin.

Bashkëpunimi Kinë-Afrikë ndihmon gjithashtu vendet e kontinentit afrikan të përparojnë procesin e industrializimit dhe të forcojnë rritjen e tyre ekonomike, tha ai, duke shtuar se Zona e Tregtisë së Lirë Lekki e Nigerisë, Zona e Bashkëpunimit Ekonomik e Tregtar TEDA e Suezit Kinë-Egjipt dhe zona të tjera bashkëpunimi, të cilat përfitojnë nga investimet kineze, i bëjnë vendet afrikane një magnet shumë më të fortë për investimet e huaja, duke formuar grupe industriale që i kanë çuar produktet afrikane në mbarë botën.

Kina ka ngritur gjithashtu 17 punishte "Luban" në 15 vende afrikane, të cilat kanë përmirësuar punësimin vendor, shtoi Lin. (Wang Lei/ Artan)