Miratohet paketa financiare për sigurimin e jetës së ushtarakëve në misionet jashtë vendit
2024-08-29 11:36:29

Ministri Pirro Vengu (Faqja e kryeministrise)

Këshilli i Ministrave miratoi një vendim të rëndësishëm që prek Forcat e Armatosura dhe Ministrinë e Mbrojtjes, që ka të bëjë me ofrimin e të gjithë paketës financiare dhe ligjore që ofron dhe mbulon sigurimin e jetës të Forcave të Armatosura në misionet jashtë vendit.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu, në një deklaratë për mediet pas mbledhjes së qeverisë, shkruan “ATSH”.

“Kemi një diversifikim të misioneve jashtë vendit, kemi një shtesë të angazhimit të Shqipërisë në misione që lidhen jo vetëm me NATO-n, por edhe me Bashkimin Europian në të gjithë spektrin e misioneve qoftë në kontributet tokësore, edhe në ato detare”,- u shpreh ai.

“Me këtë paketë angazhohemi që të gjitha forcat tona të angazhuara jashtë të kenë mbulimin e nevojshëm për çdo lloj vështirësie që mund të hasin në misione që mund të zgjasin mbi disa muaj”,- tha ministri Vëngu. (Elona)