Ndryshime në buxhet, ministri Malaj: Mbështetje për bujqësinë me 500 milionë lekë
2024-08-29 17:18:34

Ministri Malaj (Foto Atsh)

Ministri Malaj (Foto Atsh)

Këshilli i Ministrave miratoi disa ndryshime në buxhetin e shtetit, duke rritur financimet në sektorët me ndikim të lartë në jetën sociale dhe në sektorët që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se me anë të këtyre ndryshimeve rriten me 500 milionë lekë financimet për Ministrinë e Bujqësisë, ndërsa 1.3 miliardë lekë shkojnë si financim për Ministrinë e Brendshme si kompensim ushqimor për policinë, krahas orëve shtesë të tyre, citon “RTSH”.

“Kemi rishikuar buxhetin duke rritur të ardhurat në 27 miliardë lekë. Këto të ardhura do të shpërndahen në sektorët me ndikim të lartë në jetën sociale; në ata sektorë që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Rritëm financimet me 500 milionë lekë për Ministrinë e Bujqësisë; rritëm financimin shtesë në 250 milionë lekë për Ministrinë Shëndetësisë, për projekte të shërbimit parësor e dytësor; rritëm financimin 1.3 miliardë lekë për Ministrinë e Brendshme për kompensimin ushqimor të policisë, krahas orëve shtesë;

rritëm fondet për Ministrinë e Arsimit, me vlerën 300 milionë lekë për shpërblimin e sportistëve me rezultate të mira sportive; 2 miliardë lekë për ujësjellës-kanalizimet”,- deklaroi ministri Malaj. (Elona)