HEC Koman (Foto ATSH)
Mungesa e reshjeve dhe temperaturat e larta kanë ulur prodhimin e energjisë elektrike në vend. Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në tremujorin e dytë të këtij viti u ul me 18.9%, duke arritur vlerën 1.841 GWh, nga 2.269 GWh energji të prodhuar në tremujorin e dytë të vitit 2023, bën të ditur “ATSH”.
Raporti i publikuar nga INSTA- mbi bilancin e energjisë elektrike, tregon se ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 44.6%, nga hidrocentralet private dhe koncesionare në masën 48.6% dhe nga të tjerë prodhues (fotovoltaik) në masën 6.8% të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.
Importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje), në tremujorin e dytë të vitit 2024 arriti vlerën 623 GWh nga 355 GWh që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar kështu një rritje me 75.2%.
Eksporti bruto i energjisë elektrike (energji në dhënie) arriti vlerën 665 GWh nga 786 GWh duke shënuar një rënie me 15.4%. (Elona)