Konferenca e ambasadorëve “Diplo 2024” (Foto RTSH)
Nga konferenca e ambasadorëve “Diplo 2024”, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, bëri të ditur se MEPJ-ja ka filluar një projekt serioz për të krijuar një departament i cili do të merret me çështjet që kanë të bëjnë me shqiptarët në rajon, bën të ditur “RTSH”.
“Ne do të vazhdojmë të jemi këmbëngulës, do të vazhdojmë të jemi të angazhuar në mënyrë që edhe realitete të tjera, të cilat kanë nevojë për vëmendjen e shtetit shqiptar, të jenë të mirëpërfaqësuara brenda këtij viti”,- tha ministri Hasani.
Pjesë e panelit “Hapësira shqiptare në gjeopolitikën e rajonit”, ministri Hasani theksoi se qeveria shqiptare vlerëson dhe respekton rolin e shqiptarëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si faktorë dhe aktorë pro aktivë në hartimin dhe implementimin e politikave, si në rrafsh lokal ashtu edhe atë rajonal.
“Tirana zyrtare nuk ndërhyn në çështjet e brendshme dhe në dialogun e brendshëm të shqiptarëve kudo që ata janë. Ne përpiqemi të angazhohemi dhe të flasim me motrat dhe vëllezërit tanë për një çështje shumë të rëndësishme që është integrimi euroatlantik”,- tha ai.
Në Konferencën e Ambasadorëve, në panele të veçanta është diskutuar roli i diplomacisë në zhvillimin e turizmit, promovimin e kulturës dhe hapat e hedhur nga Shqipëria në çështjet e sigurisë. (Elona)