foto nga CFP
Videoloja kineze e arteve marciale “Miti i zi: Wukong" ka befasuar qarqet botërore të lojërave elektronike që nga publikimi i saj javën e kaluar. Por ka një histori më të thellë prapa suksesit të studios së kësaj loje: "Game Science".
Nëse je një lojtar i pasionuar, ndoshta ke pasur mungesë gjumi për shkak se ke luajtur një nga lojërat më të mirëpritura qysh prej 20 gushtit, kur u publikua ajo.
"Është një nga videolojërat më të mirëpritura të vitit: 'Miti i zi: Wukong'."
Loja u krijua nga studioja kineze "Game Science", e cila mbështetet nga gjigandi teknologjik kinez "Tencent". Fill pas publikimit, "Miti i zi: Wukong" ka thyer rekorde.
"'Miti i Zi: Wukong' më habiti."
"Duke e bërë 'Mitin e Zi: Wukong' një lojë të madhe të arteve marciale."
"Deri tani, një nga lojërat më të mira të arteve marciale që mund të shijoni në vitin 2024."
Si e ka realizuar këtë një studio e re kineze dhe ç'do të thotë kjo për industrinë e videolojërave? Kjo është historia që qëndron pas lojës "Mitit të zi: Wukong".
Pamja nga loja "Miti i zi: Wukong" / foto nga CGTN
Faktori i parë është lehtë për t'u parë: grafika e mrekullueshme.
"Karta ime grafike po digjet tani."
Por historia nuk mbetet këtu. "Game Science" përdori një mjet të fundit të quajtur "Unreal Engine 5", një softuer për zhvillimin e grafikës që u publikua vetëm në vitin 2020.
Projekti "Wukong" filloi disa vjet përpara 2020-s dhe kalimi në një motor të ri grafik në mes të zhvillimit të një projekti ishte pa dyshim një lëvizje e rrezikshme. Fillimisht, ekipi i vogël në "Game Science" planifikonte të projektonte një përbindësh çdo dy javë dhe në këtë lojë ka shumë figura përbindëshi. Mungesa e përvojës lidhur me "Unreal Engine 5" e zgjati afatin e prodhimit. Ajo që u duhej, ishte më shumë talent. Dhe kështu, në gusht 2020, ata e realizuan.
Duke përdorur atë çka kishte tashmë, "Game Science" publikoi reklamën e parë për "Miti i zi: Wukong". Ajo ishte në fakt një reklamë rekrutimi, por u shndërrua në një ngjarje sensacionale brenda natës. Posta elektronike e "Game Science" u mbush me mbi 100 mijë CV në disa ditë.
Kjo pikë kthese e ndihmoi studion të dorëzonte më në fund lojën në vitin 2024 me cilësinë që kishte premtuar.
Skulpturat me ngjyra në tempullin Guanyintang në provincën Shanxi / foto nga CFP
"Por ajo që konsolidoi statusin si gur kilometrik të kësaj loje për shumë lojtarë kinezë, që shkruanin këto komente pozitive faqe pas faqeje, sigurisht shkon përtej lojës vetë."
Wu Baokang, analisti i "iDigital Intelligence Technology", shprehu mendimin se loja gërshëton elemente të arkitekturës e të artit tradicional kinez dhe u jep lojtarëve një përvojë unike kulturore.
Në fakt, krijuesit e lojës udhëtuan anembanë Kinës, duke skanuar monumente historike reale, për të krijuar këto mjedise estetikisht mahnitëse në lojë.
Për shembull, këto që quhen "Caisu" ose skulptura me ngjyra, gjenden kryesisht në provincën Shanxi të Kinës Veriore. Sipas ekspertëve kinezë të artit, atmosfera mistike që krijojnë ato, është e përshtatshme për lojën.
Su Dan, zv.drejtori i Muzeut Kombëtar të Zejeve të Kinës: "Ajo krijon një botë tjetër brenda hapësirës sonë reale, një botë të largët, të përfytyruar. Skulptura me ngjyra është një formë unike e artit kinez, që kombinon skulpturën dhe pikturën. Figurat nuk janë vetëm të skalitura, por edhe të pikturuara, me veshje të hollësishme për t'u dhënë jetë."
Dhe këto statuja të lashta në lojë kanë tërhequr gjithashtu shumë lojtarë.
"Mezi pres të shkoj në Kinë. Do të shkoj në një turne të plotë."
Një tempull me skulptura në kontenë Xixian të provincës Shanxi / foto nga IC
Origjinalet e këtyre skulpturave janë gjithashtu të vendosura në këtë rajon kinez. Ato janë personifikime të "Njëzet e tetë pallateve hënore" të Kinës, të cilat u referohen 28 rajoneve të qiellit që kalon hëna në orbitën e saj.
Su Dan është i mendimit se qëndrimet dhe shprehjet e tyre janë zmadhuar shumë. Ato paraqitin në mënyrë të gjallë personalitetet e "Njëzet e Tetë Pallateve", të formuara nga kuptimi ynë i lashtë për natyrën. "Ne personifikuam energjitë dhe fenomenet natyrore, duke i shprehur ato nëpërmjet këtyre formave," u shpreh ai.
"Miti i zi: Wukong" përbën një gur kilometrik për industrinë kineze të videolojërave. Lojërat kineze kanë hyrë në arenën globale vitet e fundit, veçanërisht ato të celularit. Por për shumë njerëz, "Miti i zi: Wukong" është diçka e ndryshme. Ajo konsiderohet si një lojë "AAA", një titull i rezervuar për lojërat e nivelit më të lartë për kompjuterin personal dhe pultin e lojërave elektronike, zakonisht të dominuara nga studiot kryesore perëndimore dhe ato japoneze. Edhe pse Kina ka një industri të madhe lojërash, fokusi kryesor është zakonisht në lojërat e celularit e jo në titujt "AAA".
Pamja nga loja "Miti i zi: Wukong" / foto nga CGTN
Prandaj, kur "Tencent" investoi në "Game Science" në vitin 2021, shumë ishin të shqetësuar se gjigandi i teknologjisë do të përfundonte duke diktuar strategjitë e monetizimit për "Mitin e Zi: Wukong". Megjithatë, "Tencent" dukej se kishte besim në "Game Science", duke u zotuar të mos ndërhynte në vendimet e menaxhimit dhe të lejonte studion të shfaqte potencialin e saj të plotë.
Mos harroni, "Game Science" është një kompani e vogël lojërash. Kur publikoi një video demo të lojës në vitin 2020, ajo u prit si me emocione, ashtu edhe dyshim lidhur me atë nëse një studio kineze mund të realizonte diçka kaq ambicioze.
Ndërsa vlerësimet dhe shitjet tani pohojnë atë që ka arritur "Miti i zi: Wukong", loja është bërë në mënyrë të papritur një burim krenarie kombëtare në Kinë, mbi zhvillimin e industrisë së lojërave të vendit dhe kulturën letrare kineze.
Figura e Sun Wukong-ut në lojën "Miti i zi: Wukong" / foto nga CMG
Wukong është një personazh i romanit klasik kinez "Udhëtim për në Perëndim", i cili, për shumë lojtarë jokinezë në mbarë botën, njihet kryesisht nëpërmjet filmave të animuar dhe lojërave të përpunuara në mënyrë të lirshme jashtë Kinës. "Miti i Zi: Wukong" përfaqëson mundësinë e parë të madhe për një ekip kinez për të paraqitur interpretimin e vet për këtë vepër klasike të lashtë.
Gazetari i CGTN-it Zhang Zhenni: "Kjo është një sfidë e madhe për 'Game Science', veçanërisht në mënyrën se si ata e kanë formuar historinë. Pra, 'Miti i Zi: Wukong' është një lloj vazhdimi i veprës klasike 'Udhëtim për në Perëndim' dhe është i mbushur me referenca për materialin origjinal. Një numër lojtarësh perëndimorë që nuk e njohin romanin, thonë se kjo mund të jetë pak hutuese."
Figura e Zhu Bajie-së në lojën "Miti i zi: Wukong" / foto nga CGTN
Zhou Yabo, kryeredaktori i revistës "GAMECORES", është i mendimit se "Game Science" supozon se lojtarët e saj tashmë e kanë lexuar "Udhëtim për në Perëndim", por për mediat ndërkombëtare, është mjaft pështjelluse që kërkohet një gjë e tillë për të kuptuar historinë.
"Por nga ana tjetër, kjo ka inkujuar shumë lojtarë të lexojnë aktivisht historinë ku mbështetet loja, gjë që thjesht tregon se sa e bukur është kjo lojë," tha gazetari Zhang Zhenni.
foto nga CGTN
"'Udhëtim për në Perëndim' është një histori kineze me të vërtetë e vjetër dhe e rëndësishme nga shekulli i 16-të."
"Në roman, Sun Wukong është një majmun i lindur nga guri, i cili fitoi fuqi të mbinatyrshme nëpërmjet praktikave taoiste."
Zhang Zhenni thekson se kjo ka të bëjë edhe me familjaritetin e ndërtuar me kalimin e kohës. Për shembull, shumë lojtarë anembanë botës gradualisht u njohën me mitologjinë greke nëpërmjet një sërë videolojërash të bazuara në të përgjatë viteve. E njëjta gjë mund të ndodhë edhe me lojërat e bazuara në gjuhën kineze, duke hamendësuar se do të shohim më shumë prej tyre në të ardhmen.
"Mendoj se 'Miti i Zi: Wukong' ka hedhur një hap të parë shumë të fortë," tha Zhou Yabo. (Wang Lei/ Artan)
Pamja nga loja "Miti i zi: Wukong" / foto nga CGTN