Izraeli nis një operacion të madh në Bregun Perëndimor, të paktën 9 palestinezë të vrarë
2024-08-29 11:31:45

Tunel i Hamasit (Foto ATSH)

Izraeli ka nisur një operacion të madh ushtarak në zona të shumta të Bregut Perëndimor, teksa autoritetet palestineze shëndetësore thanë se të paktën nëntë persona janë vrarë. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte nisur një operacion të madh kundër terrorizmit në zonat e Jenin dhe Tulkarem në Bregun Perëndimor, bën të ditur “RTSH”.

“Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë operuar me forcë të madhe në kampet e refugjatëve për të penguar infrastrukturat terroriste islamike-iraniane të instaluara atje”,- tha ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz.

Ministria palestineze e Shëndetësisë bëri të ditur se forcat izraelite kishin bllokuar rrugët që të çojnë në spitalin qeveritar në Jenin dhe e kishin rrethuar atë.

“Dhjetëra pacientë aktualisht po trajtohen në spitalet qeveritare, private dhe bamirëse në Jenin dhe se çdo pushtim i tyre është një kërcënim i drejtpërdrejtë për jetën e tyre dhe jetën e personelit mjekësor”,- thuhet në deklaratën e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ndërkohë, Hamasi bëri thirrje për një mobilizim të përgjithshëm kundër okupimit dhe kolonëve në tokën e pushtuar. Hamasi akuzoi ushtrinë izraelite për shkatërrim të qëllimshëm të infrastrukturës duke përdorur forca të mëdha ushtarake të shoqëruara me bombardime ajrore nga dronët dhe avionët luftarakë. (Elona)