Mark Zuckerberg: Biden na bëri presion për të censuruar përmbajtjet lidhur me Covid-19
2024-08-29 17:15:15

Mark Zuckerberg (Foto Panorama)

Mark Zuckerberg (Foto Panorama)

Mark Zuckerberg, kreu i kompanisë “Meta”, shprehu keqardhjen që iu dorëzua presionit nga administrata e presidentit Joe Biden, për të censuruar përmbajtjet në “Facebook” dhe “Instagram” gjatë pandemisë.

Në një letër drejtuar kryetarit të komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve, ai tha se zyrtarë të lartë të qeverisë, përfshirë anëtarë të Shtëpisë së Bardhë, i kishin bërë presion kompanisë së tij, shkruan “Panorama”.

Shtëpia e Bardhë mbrojti veprimet e saj, duke theksuar se po promovonte veprime të përgjegjshme për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë publike.

Duke iu referuar përmbajtjes në lidhje me Covid-19, Zuckerberg shkroi: “Në vitin 2021, zyrtarë të lartë në administratën e Biden-it, përfshirë Shtëpinë e Bardhë, vazhdimisht u bënë presion ekipeve tona për muaj të tërë për të censuruar përmbajtje specifike rreth Covid-19. Ne morëm disa vendime që, bazuar në njohuritë dhe përvojën e sotme, nuk do t’i merrnim tani. Mendoj se presioni nga qeveria ishte i gabuar dhe më vjen keq që nuk ishim më të qartë për këtë e që u dorëzova”.

Zuckerberg theksoi se, në të ardhmen, “Meta” do të jetë gati t’u rezistojë situatave të ngjashme. Letra e tij iu drejtua Jim Jordan, kryetar i Komitetit Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve, i cili po heton mbikëqyrjen e përmbajtjes në platformat online.

Republikanët, nga ana tjetër, e përshëndetën letrën si një fitore të madhe për fjalën e lirë.

Në një deklaratë të lëshuar për “Politico”, Shtëpia e Bardhë mbrojti veprimet e saj, duke bërë të ditur: “Pozicioni ynë është i qartë. Ne besojmë se kompanitë e teknologjisë dhe aktorë të tjerë privatë duhet të marrin parasysh ndikimin e veprimeve të tyre te populli amerikan, ndërsa në të njëjtën kohë ata bëjnë zgjedhje të pavarura për informacionin që paraqesin”. (Elona)