Porti Durres (Foto ATSH)
Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar gjatë muajit korrik të këtij viti shënoi rritje me 2.7%, krahasuar me korrikun e vitit 2023. Sipas raportit mbi lëvizjet e shtetasve të publikuar nga INSTAT-i rezulton se gjatë muajit korrik të këtij viti të kenë hyrë në territorin shqiptar 2.624.207 shtetas shqiptarë dhe të huaj, shkruan “ATSH”.
Në total, janë 10.7 milionë shtetas që kanë hyrë në Shqipëri gjatë periudhës janar-korrik, ndër ta të huaj janë regjistruar 6.3 milionë, të cilët kanë deklaruar se arsyeja e vizitës në Shqipëri është për pushime.
Në krahasim me periudhën janar-korrik të një viti më parë, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri shënoi rritje me 23.2%.
Referuar raportit, 95% e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri janë nga rajoni i Europës. Europa Jugore zë 71% të hyrjeve të shtetasve të huaj nga kontinenti europian, ndjekur nga Europa Qendrore/Lindore me 10%. (Elona)