62 të infektuar me ethet e Nilit, ISHP: 6 mijë infeksione respiratore në javë, dominon Covid-i
2024-08-29 16:35:10

ISHP (Foto RTSH)

ISHP (Foto RTSH)

Shkon në 62 numri i pacientëve të prekur nga ethet Nilit Perëndimor në Shqipëri, të konfirmuar në laboratorin e ISHP-së. Drejtoresha e këtij institucioni, Eugena Tomini, tha për “RTSH”-në se rastet janë nga zona të ndryshme të vendit dhe se survejanca për këtë sëmundje është e ngjeshur dhe intensive në të gjitha nivelet.

“Aktualisht jemi në nivelin e 62 rasteve të konfirmuara, kemi një shpërndarje gjeografike në disa zona të vendit. Ka raste të shtruara në spital, por duhet të theksohet fakti që ka një bashkëpunim të ngushtë me bashkitë respektive që duhet të kryejnë dezinsektimin në zonat ku janë identifikuar rastet”,- tha Tomini.

Ky sezon veror nuk ka qenë i qetë edhe për shkak të larmisë së viruseve respiratore që kanë qarkulluar. Në një javë, qendrat shëndetësore kanë raportuar mbi 6000 infeksione respiratore, ku virusi më dominues ka qenë Covid-i.

ISHP-ja po përgatitet për porositë e vaksinave të reja sezonale të gripit dhe Covid-it, doza që rekomandohen të dyja njëherësh në disa grupe  me nisjen e vjeshtës. (Elona)