Si ndikon psikologjia e së kaluarës në marrëdhëniet Shqipëri-Kinë?
2024-08-29 14:55:54

Kam vënë re se marrëdhëniet e Republikës Popullore të Kinës me Shqipërinë pengohen më shumë nga psikologjia e trashëguar, sesa nga interesat. Kina është një fuqi planetare me potenciale të jashtëzakonshme për investime dhe zhvillim. Ndoshta jo për të formësuar një lloj ndikimi politik ose gjeopolitik, sa për të mundësuar zhvillimin e saj përmes investimeve të reja dhe hapjes së tregut të lirë me botën.

Përpjekjet e Pekinit në këtë drejtim sigurisht që zgjojnë xhelozinë dhe kundërshtinë e rivalëve të saj. Natyra e zgjerimit të investimeve dhe të tregtisë është konkurrenca. Brenda konkurrencës shpesh herë bëjnë pjesë intrigat, përpjekjet penguese dhe kundër ofensiva propagandistike për ato që quhen “rreziqe kineze” në marrëdhëniet ndërshtetërore, ndërkontinentale dhe ndërrajonale. Në të vërtetë Kina e ka përshtat zhvillimin e saj sipas parimeve të ekonomisë së tregut, qëllimisht për t’u bërë konkurruese e ndershme në tregun botëror të tregtisë dhe investimeve.

Kryeministri kinez Çu En Lai vizitoi Shqipëri në janar të vitit 1964

Nëse e shohim në këtë aspekt dhe me këtë sy prezencën e kapitalit kinez në Shqipëri, atëherë do të zbulojmë disa narrativa propagandistike. Një ndër to është ajo, sipas së cilës “Kina është një vend që ruan miqësi me “vende jo mike”” të Shqipërisë! Është interesant të shohësh se ajo pjesë e politikës, ndërsa flirton me vende ku Kina investon, ushqen propagandën, sipas së cilës “Investimet kineze përbëjnë rrezik”! Ndërsa e vërteta është krejt ndryshe.

Burimi i kësaj psikologjie vjen nga vitet 1970 të shekullit të kaluar! Asokohe shqetësimi i udhëheqjes shqiptare ishte marrëdhënia e mirë dhe e konsoliduar e Republikës Popullore të Kinës më Jugosllavinë dhe me Rumaninë. Në bisedat midis liderëve politikë të Tiranës dhe atyre të Pekinit shpesh herë në forma të ndryshme dilte në skenë një shqetësim i tillë. Kam shkruar se kur Çu En Lai u rekomandoi udhëheqësve shqiptarë që të krijonin një aleancë mbrojtjeje me Jugosllavinë e Rumaninë, shqiptarët e refuzuan këtë bazuar në të ashtuquajturat “parime ideologjike”! Në fakt kryeministri kinez kujdesej që Shqipëria të mos e shpenzonte thuajse gjysmën e buxhetit të saj për bunkerë dhe mbrojtjen. Që këto shpenzime të shkonin për mirëqenien e njerëzve.

Kryeministri kinez Çu En Lai vizitoi Shqipëri në korrik të vitit 1966

Foto:VCG

Panairi Kinë-Europë Qendrore e Lindore në Kinë(Foto:VCG)

Edhe sot ata që kundërshtojnë marrëdhëniet e Kinës me Shqipërinë ndjekin të njëjtën skemë. Ushqejnë idenë, sipas së cilës “meqenëse Kina bashkëpunon me vende të treta jo mike të Shqipërisë, atëherë Shqipëria nuk ka arsye të ndërtojë marrëdhënie ekonomike të qëndrueshme me Pekinin”! E përdorin dhe keqpërdorin politikën kineze në raport me vendet e tjera në rajon si kazus për bllokimin e këtyre marrëdhënieve. Në mediet shqiptare, përdoret shpesh kjo metaforë e zbuluar që në kohën e Homerit, sipas së cilës “Miku i armikut tim është armiku im”!

Ndërkohë për këta njerëz, politikanë ose persona publikë, marrëdhëniet e ngushta të qeverisë shqiptare me “armikun” nuk përbëjnë asnjë problem shqetësues. Përkundrazi, “shqetësimi” i tyre është “miku i armikut”, pra Republika Popullore e Kinës! Kjo do të thotë se kemi të bëjmë me një strategji propagandistike, e cila shkon në favor të qarqeve politike dhe rrymave ideologjike anti-shqiptare. Kjo do të thotë se marrëdhëniet ekonomike dhe të investimeve të Shqipërisë me Republikën Popullore të Kinës pengohen në mënyrë artificiale për interesa përtej shqiptare!

Ministria e Jashtme e Kinës

Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi u takua me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama në Tiranë në tetor të vitit 2021/Ministria e Jashtme e Kinës

Nëse do të analizonim me gjakftohtësi interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, atëherë lehtësisht do të dallonim se këto interesa plotësohen më mirë përmes alternativave plurale të lidhjeve ekonomike e në investime. Kina është një nga vendet që plotëson të gjitha kriteret e një vendi që nuk përbën asnjë shqetësim dhe rrezik për këto lidhje me Shqipërinë. Nëse ajo kishte marrëdhënie të ngushta me vende si Rusi, kjo nuk mund të pengonte forcimin e marrëdhënieve me Shqipërinë. Edhe kjo alibi është e vjetër dhe i takon gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, kur Tirana zyrtare e asaj kohe u bë xheloze për marrëdhëniet e mira të Kinës me SHBA-të! Të gjitha këto premisa që ekzistojnë si barriera në marrëdhëniet Shqipëri-Kinë bëhen pengesë e këtyre lidhjeve. Por edhe dëshmojnë se shoqëria shqiptare ende nuk është shkëputur nga mentaliteti dhe psikologjia e një periudhe të dështuar në marrëdhëniet midis Tiranës dhe Pekinit.

Dhe së fundmi, për nevojat që ka Shqipëria për investime të huaja, sidomos në infrastrukture, bashkëpunimi me Republikën Popullore të Kinës duhet të marrë një lloj përparësie. Shqipëria sivjet kremton 75 vjetorin e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike me Pekinin. Në këto 75 vite ajo nuk gjen dot asnjë rast, për të cilin mund të fajësojë Kinën për oshilacionet dhe pengesat në marrëdhëniet ekonomike midis të dy vendeve. Madje vendi ynë shfrytëzon edhe sot me kapacitet të plotë investimet kineze si hidrocentralet në kaskadën e Drinit.

Kësisoj është e domosdoshme të ridimensionohen marrëdhëniet ekonomike në tregti dhe investime me Republikën Popullore të Kinës.