Presidenti Begaj apel ambasadorëve dhe konsujve: Shërbejuni shqiptarëve kudo ku jetojnë
2024-08-29 11:01:02

Presidenti i vendi Bajram Begaj (Foto RTSH)

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, u bëri thirrje ambasadorëve dhe konsujve që t’u shërbejnë shqiptarëve kudo ku ata jetojnë e punojnë. Në pritjen e organizuar në presidencë, kreu i shtetit iu drejtua ambasadorëve dhe konsujve se duhet të krijojnë lehtësirat e nevojshme për shqiptarët në vendet ku ata shërbejnë, citon “ATSH”.

Sipas tij, është e papranueshme që selitë diplomatike shqiptare mos t’u shërbejnë qytetarëve shqiptarë.

Presidenti Begaj iu kërkoi ambasadorëve dhe konsujve që të jenë konkretë në punën e tyre sa i përket diplomacisë.

Ai shpjegoi më tej se Shqipëria nuk është më ajo e 30 viteve më parë, gëzon prestigj dhe vend të merituar në arenën ndërkombëtare.

“Shqipëria tregoi pjekuri gjatë kryesimit të OSBE-së dhe mandatit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Bashkëpenëmbajtja me aleatin strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Ukrainën, çështjen e paqes dhe sigurisë ishte kulmi i maturimit të politikës sonë të jashtme”,- tha presidenti Begaj, ndërsa shtoi se interesat  kombëtare, partneritetet strategjike, roli si vend anëtar i NATO-s apo objektivi i anëtarësimit në Bashkimin Europian mbeten të pandryshuar si shtylla të politikës së jashtme dhe të aksionit diplomatik. (Elona)