Bullgari (Foto RTSH)
Bullgaria do të mbajë zgjedhjet e saj të shtata parlamentare, në më pak se katër vite. Zgjedhjet e reja do të mbahen më 27 tetor, vetëm katër muaj pasi votuesit shkuan në qendrat e votimit në qershor, pas rënies së një koalicioni qeveritar të qendrës së djathtë.
Një kabinet i përkohshëm, i cili sipas ligjit kushtetues bullgar kërkohet të organizojë zgjedhje të ndershme, më në fund u betua të martën nën kryeministrin e përkohshëm, Dimitar Glavçev, bën të ditur “RTSH”.
Presidenti Rumen Radev kishte refuzuar në fillim të këtij muaji të miratonte një kabinet të përkohshëm, mes akuzave mbi përshtatshmërinë e ministrit të Brendshëm, Kalin Stojanov, për rolin e tij.
Glavçev më pas ndërhyri për të vazhduar mandatin e tij si kryeministër i përkohshëm dhe për të organizuar zgjedhjet e reja, ndërsa Bullgaria kërkon të shmangë një përshkallëzim të krizës së saj të gjatë politike.
Administrata e re e përkohshme duhet gjithashtu të emërojë dy kandidatë nga Bullgaria në Komisionin e ri Europian deri më 30 gusht. (Elona)