Griseld Hoxha: Pasqyra e jetës urbane në objektivin e fotografit
2024-08-28 09:48:18

Fotografi Griseld Hoxha (Foto personale)

Griseld Hoxha duke fotografuar (Foto personale)

Albumi fotografik i G. Hoxhës (Foto personale)

Jeta e përditshme në  objektivin e fotografit Griseld Hoxha paraqitet në fotografi bardhdhezi në stilin “streetphotography” e “urbanphoto” në fotoalbumin "Fotografia që prek indet e qytetit"

Një koleksion i veçantë i fotove është shkrepja e momenteve autentike, duke përcjellë një shkëlqim të veçantë të realitetit të përditshëm me personazhet dhe  situatat në çdo kënd të qytetit, ku secila prej tyre ka fuqinë të na bëjë të ndjehemi të lidhur me botën rreth nesh.

Fotografitë e përzgjedhura shfaqin personazhe të ndryshëm dhe situata të përshtatshme me gjendjen aktuale të realitetit që jetojmë të shoqëruara me histori personale secila foto na fton të kapim një histori, një emocion, ose një ngjarje të rëndësishme dhe kuptimplotë. Në intervistë për Radio Ejani Griseld Hoxha flet për artin e tij të fotografisë

CMG: Griseld kur e keni ndërmarrë këtë hap për të sjellë një katalog të këtij lloji?

Griseld Hoxha: Fotografitë e rrugës kanë nisur që të grumbullohen fillimisht dhe dihet që është një punë shumë e gjatë deri në bërjen e një katalogu. Ka qenë një punë katër vjeçare, e cila më ka marrë tepër kohë, por më ka dhuruar emocione të forta, duke përzgjedhur qindra foto me histori të jashtzakonshme.

Pas qindra fotove doli një katalog  i tillë, i cili është i pari i ketij lloji në Shqipëri dhe rrefen histori përmes fotosh.

CMG: A ka qenë sfiduese të mbledhësh kaq shumë foto ?

Griseld Hoxha: Emocioni i fotos është patjetër i madh dhe nuk mund të them se e kam përjetuar atë si momente lodhje apo vështirësie. Nga ngarkesa e punës apo çdo momenti tjetër të lodhshëm unë kam arritur që përmes fotos të marr relaks dhe të besoj tek produkti im final që ishte ky katalog i veçantë.

CMG: Na trego  rreth shkrepjeve magjike të aparatit tuaj ?

Griseld Hoxha: Fotot janë realiteti i jetës sonë. Aty janë mbledhur të gjitha copëzat, emocione, të cilat ne i përjetojmë çdo ditë përmes jetës sonë. Ka momente të bukura, dramatike, romantike dhe çdo emocion tjetër i cili vjen përmes fotos. Nuk jam rezervuar tek asnjë çast sepse çdo moment përbën thelbin e jetës sonë.

CMG: Si është jeta e rrugës, duke qenë se ju vetë e keni prekur atë përmes fotos?

Griseld Hoxha: Jeta e rrugës është rastësi e bukur dhe nga momenti në moment pritet që të ndodhë diçka. Është një jetë e bukur dhe dinamike që nuk përjetohet në çaste të tjera. Ti duhet të jesh përherë gati për të kapur në foto çastin e duhur.

Foto nga Griseld Hoxha (Foto personale)

CMG: Sa foto janë në këtë katalog?

Griseld Hoxha: Në këtë katalog gjen 60-70 foto, të cilat janë seleksionuar. Janë foto të ndryshme të së gjitha kategorive, të cilat tregojnë copëza të ndryshme të jetës. Në këtë katalog kanë ndihmuar edhe shumë persona të tjerë sepse fotot përbri tyre kanë edhe një mbishkrim. Është një përshkrim, i cili i jep jetë fotos dhe e bën atë edhe më tërheqëse. Gjej ndoshta kështu mundësinë për të falenderuar këdo që hodhi pak shkëlqim tek katalogu im, i cili tashmë gjendet edhe në treg dhe që është preferuar tepër për t'u shijuar.

CMG: Katalogu që ju keni sjellë, është një ide e huazuar?

Griseld Hoxha: Jo, nuk është huazuar nga askush ka vetëm bindjet dhe shijet e mia personale ky katalog. Normalisht për ta bërë edhe më të bukur edhe më të mirë jemi përpjekur që të shohim dhe të perfeksionojme punën tone, por vetëm kaq, çdo gjë është origjinale.

CMG: A jeni i kënaqur prej shitjeve?

Griseld Hoxha: Të gjitha botimet e para të këtij katalogu janë shitur. Suksesin më të madh e pati në momentin kur u prezantua në Panairin e Librit në Tiranë ku na erdhën miq dhe dashamirës të librit, të cilët shprehën mbresa për punimin dhe tani jam gati për të tjera botime.

Katalogu vijoi të shitej edhe në Durrës dhe kam bërë një ribotim të dytë pas mbarimit të kopjeve të para. Nga rekomandimet e ndryshme edhe nga miq, por edhe nga kompani të cilat sjellin turistë të ndryshëm në Shqipëri, kanë kërkuar që historitë të cilat janë përbri fotos të jenë edhe në anglisht, ndaj edhe unë po punoj për këtë pjesë .

CMG:Cila është arsyeja për ta pasur ndër duar këtë katalog?

Griseld Hoxha: Ky katalog na ndihmon të prekim realitetin e jetës sonë si gjënë më të shtrenjtë që ne kemi. Ne mund të ecim të gjithë në rrugë, por jo te gjithë e vërejmë atë moment që e hasim para syve tanë dhe të kuptojmë jetën tonë.

CMG: Si e sheh tregun e fotografisë në Shqipëri ?

Griseld Hoxha: Unë e shoh tepër të frytshëm dhe pres që të kem edhe të tjera ekspozita. E fundit që kam pasur ka qenë në Milano dhe tani pres që të ndërtoj ekspozitën e radhës.

Unë kam hyrë në vitin e tetë që merrem me fotografi dhe shoh që ky profesion me përmbush nga dita në ditë.

Intervistoi: Megi Latifi