Ministrja Anila Denaj (Foto Ministria e Bujqesise)
Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj njoftoi se Këshilli i Ministrave ka miratuar pr/ligjin për produktet organike shqiptare. Denaj shpjegoi se ky projekt-ligj organizon rregullat e qartë për produktet organike, të cilat synohet që të vendosen në tregun shqiptar në bazë të standardeve të BE-së. Kjo nismë do të rregullojë parimet për certifikimin e operatorëve organikë, përdorimin e etiketave dhe reklamimin, si edhe rregullat e kontrollit zyrtar në çdo fazë të prodhimit.
“Në këtë projektligj rregullohen parimet për certifikimin e operatorëve organikë, që do të prodhojnë produkte organike, përdoruesin e treguesve, që i referohet prodhuesit organik me etiketën dhe reklamimin, rregullat e kontrollit zyrtar në çdo fazë të prodhimit, përgatitjes, ruajtjes dhe shpërndarjes, importit dhe eksportit. Gjithashtu, në këtë projektligj janë përcaktuar edhe autoritetet përkatëse, të cilat do të kenë në përgjegjësi kontrollin zyrtar në çdo hallkë të zinxhirit të prodhimit organik. Ligji siguron gjithashtu miratimin e listës së produkteve për mbrojtjen e bimëve dhe produkteve plehëruese, të cilat përcaktohen në bujqësinë organike dhe publikimin e kësaj liste sipas të gjitha standardeve të transparences”, u shpreh ministrja Denaj
Çdo e dhënë do të jetë në një sistem të posaçëm elektronik.
“Ligji parashikon gjithashtu ngritjen e një sistemi elektronik, i cili do të menaxhohet në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe që mundëson vetëdeklarimin e të dhënave për gjendjen në treg të të gjithë inputeve të fermës si farave organike, kafshët organike, rasatat e specieve të akuakulturës organike. Gjithashtu, projektligji është pjesë e të gjithë projekt-akteve të parashikuara këtë vit në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, pjesë e procesit Screening dhe përafron rregulloren e Bashkimit Evropian 2018/848 të Parlamentit Evropian dhe Këshillit të datës 30 maj 2018. Rregullorja ka hyrë në fuqi, në fakt në 2022, por miratimi i këtij ligji sikurse është rakorduar edhe në procesin Screening, fillon zbatimin menjëherë nga viti i ardhshëm dhe synojmë miratimin në parlament brenda këtij viti.”- tha Denaj.
E pyetur lidhur me masat e marra nga Ministria që ajo drejton dhe institucionet e tjera për të garantuar cilësinë ushqimore jo vetëm për qytetarët, por edhe miliona turistë që kanë mbërritur në Shqipëri, Denaj shprehet:
“Dua në radhë të parë të garantoj që institucioni që është përgjegjës për të gjitha analizat laboratorike është ISUV. ISUV është institucion shtetëror që përgjatë 11 viteve të fundit është fokusuar jashtëzakonisht shumë në akreditimin e testeve laboratorike dhe dua të theksoj që në 2013 në ISUV bëheshin vetëm 6 certifikime të akredituara nga BE, sot kemi 1631 të tilla. Sigurisht certifikimi i shumë produkteve ndodh edhe nëpërmjet sektorit privat. Ne sigurojmë konfidencialitetin e çdo produkti që certifikohet në laboratorët tanë por kryesisht e përdorim këtë informacion për të gjurmuar se në cilën fermë apo në cilën ngastër apo parcelë ka produkte që mund të kenë përmbajtje më të tepër të produkteve si nitrati në rastin e asaj që është komunikuar. Unë do thoja që duhet të heqim dorë nga produktet që nuk janë të certifikuara”, theksoi ministrja e Bujqësisë
Ekonomia blu (Foto Bujqesia.gov.al)
Produkte organike (Foto Telegrafi)
Sipas Denajt në vend ka laboratorë cilësore që kryejnë analizat e posaçme.
“Përpara 1 viti një debat i ngjashëm ka ndodhur me këto pajisjet që nuk janë të njohura në fushën laboratorike dhe do i kërkoja të gjithë qytetarëve dhe të gjithë aktorëve që ndihmojnë publikun, edhe median të na ndihmojnë edhe ne që çdo produkt që mund të ketë indikacion për produktin jashtë standardeve të përdorur, të shkojë dhe të certifikohet në ISUV dhe aty analiza të nxjerrë jo vetëm sigurinë ushqimore në një nivel parametër të ulët apo të lartë, por mbi të gjitha të gjurmojmë se ku ndodh. Unë dua të theksoj gjithashtu se produkte shqiptare, në veçanti në zonën e Myzeqesë, perimet dhe frutat shkojnë përmbi 80 tregje elitare, nuk ndodhin në asnjë moment produkte të cilat janë të pacertifikuara nga vetë prodhuesit. Ata krijojnë një zinxhir të gjurmueshmërisë në mbështetje të produktit shqiptar, që sot ka dhe një patentë ndërkombëtare. Por nuk mund të përjashtojmë situata që mund të kenë përdorim të plehrave jashtë parametrave dhe në frymën e një ligji që sot ne miratuam në Këshillin e Ministrave do të thosha që organikja është një e ardhme, po nuk mund të jetë e gjitha në Shqipëri apo në botën e orientuar drejt organikës. E rëndësishmja është që të kemi produkte që realizojnë protokollet agronomike sipas atyre që janë të certifikuara dhe vetëm laboratorët ISUV apo ato që janë të duhur për të dhënë vlerësimin”
Po ashtu Denaj dha edhe lajmin lidhur me “ekonominë blu”. Ministrja tha se është bërë i mundur financimi me gati 25 milionë Euro bashkë me qeverinë italiane që do të zhvillojë më shumë peshkimin në Shqipëri.
“Gjithashtu në Këshillin e Ministrave sot u miratua dhe një projekt vendim i cili lidhet me atë që është ekonomia blu. Jemi në proces prej disa kohësh bashkë me qeverinë italiane për të mundësuar financim me gati 25 milionë euro në mënyrë që infrastruktura që do mundësojë një zhvillim dhe më të madh të zhvillimit të peshkimit në tokë, në raport me infrastrukturën e tregtimit artizanal, por edhe të markatave, të cilat sot në Shqipëri po marrin një vëmendje më të shtuar edhe nga buxheti i shtetit, të marrin një zgjerim më të shtuar, jo vetëm atë që kemi sot aktuale në Vlorë, por edhe qytete të tjera të Shqipërisë, të cilat e kanë të lidhur jetën dhe ekonominë e tyre të përditshme me ekonominë blu. Unë gjej rastin të falënderoj qeverinë italiane për këtë mundësi dhe të shpresoj që ratifikimi i kësaj marrëveshje financiare të plotësohet brenda vitit.”
Sipas Denajt, përmes këtij financimi “do të investojmë jo vetëm në përmirësimin e kushteve për peshkimin artizanal, por edhe në ngritjen e markatave të reja për produktet peshkore”. Ajo shprehu bindjen për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje në Kuvend, brenda këtij viti me qëllim zbatimin e investimeve të rëndësishme në sektorin e peshkimit.
Ekonomia blu ka komponentë të ndryshëm, duke përfshirë industritë tradicionale të detit si turizmi, peshkimi, transporti detar, por edhe aktivitete të reja dhe në zhvillim, të tilla si energjia e rinovueshme në det të hapur, akuakultura, aktivitetet naftë-nxjerrëse të detit, turizmi nënujor, etj. Ekonomia Blu i referohet zhvillimit të qëndrueshëm dhe të integruar të sektorëve ekonomikë në oqeane dhe dete të shëndetshëm. Sipas The Economist, kjo ndodh kur aktiviteti ekonomik është në ekuilibër me kapacitetin afatgjatë të ekosistemeve oqeanike për ta mbështetur këtë aktivitet duke mbetur i shëndetshëm dhe elastik. Në thelb, koncepti i Ekonomisë Blu është një lente përmes së cilës mund të shikohen dhe zhvillohen agjendat e politikave që njëkohësisht rrisin shëndetin e oqeaneve dhe zhvillimin ekonomik, në përputhje me parimet e barazisë sociale dhe përfshirjes.