Tregu i sigurimeve (Foto Atsh)
Në raportin e publikuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) bëhet e ditur se të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-korrik të këtij viti kapën vlerën 14.1 miliardë lekë, ose 7.58% më shumë se e njëjta periudhë e 2023-shit.
Raporti thekson se numri i kontratave të sigurimit të lidhura gjatë kësaj periudhe arriti në 870.189, me një rritje prej 9.55% krahasuar me një vit më parë, shkruan “ATSH”.
Tregu mbetet i orientuar te sigurimet e jojetës, të cilat sollën 91.65% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e jetës kanë 8.31% dhe risigurimi me 0.042%.
Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 41.96% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 58.04% të totalit të tregut.
Gjatë periudhës janar-korrik 2024, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 4.7 miliardë lekë, ose 21.50% më shumë se në periudhën janar-korrik 2023.
Dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik për periudhën janar-korrik 2024 kapën vlerën 3.4 miliardë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 20.76% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. (Irma)