Sulmet ne Gaza (Foto Atsh)
Bisedimet për një armëpushim në Rripin e Gazës vazhdojnë në nivel të grupit të punës në Kajro, pavarësisht shkëmbimit të zjarrit të ashpër të Izraelit dhe Hezbollahut, tha një zyrtar i lartë amerikan.
“Vazhdon të ketë përparime dhe ekipi ynë në terren vazhdon t’i përshkruajë bisedimet si konstruktive”,- tha zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, shkruan “ATSH”.
Kirby tha se Brett McGurk, këshilltari kryesor i presidentit amerikan Joe Biden për Lindjen e Mesme, qëndroi në kryeqytetin egjiptian edhe për një ditë tjetër për të ndihmuar në fillimin e konsultimeve të nivelit më të ulët.
“Në diskutimet e grupeve të punës do të përfaqësohen të gjitha palët, duke përfshirë Hamasin. Ende nuk dihet se sa kohë do të zgjasë”,- tha Kirby.
Raundi i fundit i bisedimeve në Kajro nga zyrtarë të lartë që përfaqësojnë palët përfundoi të dielën dhe nuk arriti në një përparim.
Delegacioni izraelit prej 13 personash, si dhe emiri i Katarit, Tamim bin Hamad Al Thani, dhe përfaqësuesit e Hamasit që kishin udhëtuar nga Doha për t’u informuar mbi ecurinë e bisedimeve, u largua nga Egjipti.
Hamasi dhe Izraeli nuk po negociojnë drejtpërdrejt me njëri-tjetrin, por SHBA-ja, Katari dhe Egjipti po veprojnë si ndërmjetës. (Irma)