Kreu i OKB-së: Rritja e nivelit të deteve po kërcënon gjithë njerëzimin
2024-08-28 15:02:23

Guterres (Foto Thepostmilleannial)

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, deklaroi se ndotësit e mëdhenj kanë një përgjegjësi të qartë për të ulur emetimet, ose rrezikojnë një katastrofë në mbarë botën, shkruan “RTSH”.

“Paqësori është sot zona më e cenueshme e botës. Ka një padrejtësi të madhe në lidhje me Paqësorin. Ishujt e vegjël nuk kontribuojnë në ndryshimin e klimës, por gjithçka që ndodh për shkak të ndryshimeve klimaterike shumëfishohet në këto zona. Niveli i deteve në rritje po na kërcënon të gjithë”,- paralajmëroi Guterres në Takimin e Liderëve të Forumit të Ishullit të Paqësorit në Tonga.

OKB-ja lëshoi dy raporte të veçanta mbi rritjen e nivelit të detit dhe se si ato kërcënojnë kombet ishullore të Paqësorit.

Raporti i Organizatës Botërore Meteorologjike të Gjendjes së Klimës në Paqësorin Jugperëndimor thotë se ky rajon përballet me një goditje të trefishtë të rritjes së përshpejtuar të nivelit të detit, ngrohjes së oqeanit dhe acidifikimit.

“Arsyeja është e qartë. Gazet serrë, të prodhuara në masë dërrmuese nga djegia e lëndëve djegëse fosile, po bluajnë planetin tonë. Deti po e merr të gjithë nxehtësinë”,- tha Guterres. (Irma)