Ukraina kërkon ndihmë nga aleatët për mbrojtjen ajrore
2024-08-28 11:53:07

Ministri ukrainas (Foto Atsh)

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, u bëri thirrje aleatëve që të bien dakord të përdorin aftësitë e mbrojtjes ajrore të partnerëve për të rrëzuar raketat dhe dronët në afërsi të hapësirës së tyre ajrore, shkruan “ATSH”.

“Ka dy vendime specifike që partnerët tanë mund të marrin për të na ndihmuar. Së pari, konfirmoni sulmet me rreze të gjatë veprimi të Ukrainës ndaj të gjitha objektivave legjitime ushtarake në territorin rus. Së dyti, pranoni përdorimin e aftësisë së mbrojtjes ajrore të partnerëve për të rrëzuar raketat dhe dronët në afërsi të hapësirës së tyre ajrore. Asnjë nga këto vendime nuk është përshkallëzim. Përkundrazi, ato do të ndihmojnë në uljen e numrit të sulmeve ruse, si dhe të viktimave që rezultojnë. Veproni tani, jo më vonë. Na ndihmoni të shpëtojmë jetë”,- deklaroi Kuleba.

Edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje partnerëve globalë për veprime vendimtare, pas sulmit të fundit rus në Ukrainë, për të cilin ai thotë se përfshinte më shumë se 100 raketa dhe disa dronë.

Ai përsëri bëri thirrje për heqjen e kufizimeve në përdorimin e armëve me rreze të gjatë veprimi, të furnizuara nga partnerët perëndimorë, të cilat aktualisht pengojnë Ukrainën të godasë thellë në territorin rus. (Irma)