Foto nga CFP
Të ardhurat nga shitja e biletave të kinemave në Kinë për sezonin veror nga 1 qershori deri më 31 gusht, arritën në 11.2 miliardë juanë (rreth 1.6 miliardë dollarë) deri të martën, sipas firmës së gjurmimit të ardhurave nga shitja e biletave të kinemave "Dengta Data".
Deri të martën në mbrëmje, filmat kinezë "Pasuesi" e "Një vend i quajtur heshtje" dhe trilleri fantastiko-shkencor i "Hollivudit" "Alien: Romulus" u renditën në tre vendet e para.
"Alien: Romulus" ka fituar më tepër se 550 milionë juanë që nga nisja e shfaqjes së tij në Kinë më 16 gusht, duke e bërë atë filmin e huaj më fitimprurës të sezonit veror dhe duke i kaluar të ardhurat e këtij filmi në Amerikën Veriore e në vende të tjera të botës.
Gjatë sezonit veror në Kinë, filmat vendas kishin një epërsi të madhe si për sa u përket të ardhurave, ashtu edhe vlerësimit të kritikës. Këtë verë, një numër filmash të suksesshëm kinezë – nga filmat komikë dhe trillerat e krimit deri në veprat e animuara mbështetur në folklorin kinez dhe filmat e artit të ri – kënaqën shijet e publikut të të gjitha grupmoshave.
Filmi i animuar kinez "Gjarpri i Bardhë: Pluskimi", duke ndërthurur elementet mitologjike me një histori dashurie, rikrijon një histori klasike nga një perspektivë moderne teksa ruan fabulën e vet thelbësore, duke i dhënë një jetë të re rrëfenjës tradicionale.
Ndërsa "Çkodimi", i përshtatur nga romani i Mai Jia, fitues i Çmimit të Letërsisë "Mao Dun", shfaq botën abstrakte e komplekse të numrave dhe kodeve, së bashku me ëndrrat surreale të nënndërgjegjes së protagonistit, në një përvojë të gjallë kinematike.