Fjala kyçe: 灾害---[zāi hài]---fatkeqësi
Ndërsa fatkeqësitë natyrore kanë shkaktuar gjithmonë e më shumë probleme në glob, bashkëpunimi ndërmjet Kinës dhe vendeve ishullore të Paqësorit në pakësimin e rreziqeve nga fatkeqësitë ka bërë përparim të dukshëm.
Kina dhe vendet ishullore të Paqësorit krijuan Qendrën e Bashkëpunimit për Pakësimin e Rreziqeve nga Fatkeqësitë në shkurt 2023 në qytetin Jiangmen të provincës Guangdong të Kinës Jugore. Kjo është platforma e parë shumëpalëshe e bashkëpunimit ndërmjet Kinës e vendeve ishullore të Paqësorit, me fokus në parandalimin dhe zbutjen e fatkeqësive.
Qendra ka për qëllim t'u ofrojë këtyre vendeve ishullore monitorimin e rreziqeve të fatkeqësive, teknologjinë e paralajmërimit të hershëm, shërbimet dhe mbështetjen lidhur me materialet e emergjencës pas fatkeqësive dhe operacionet e shpëtimit. Që nga krijimi, kjo qendër ka bërë përparim të ndjeshëm në arritjen e objektivave të saj.
"Ne kemi kryer trajnime për vendet ishullore të Paqësorit dhe afro 40 zyrtarë nga departamentet e menaxhimit të fatkeqësive në nëntë nga këto vende marrin pjesë në program," i tha CGTN-it dekania ekzekutive e Institutit të Kërkimeve për Vendet Ishullore të Paqësorit Wang Chunyang.
"Ne gjithashtu hulumtuam tipat e fatkeqësive natyrore dhe përpjekjet për parandalimin dhe zbutjen e fatkeqësive në këto vende," shtoi ajo.
Vendet ishullore të Paqësorit gjenden kryesisht përgjatë një brezi vullkanik e sizmik, ku ndodhin tajfune, tërmete dhe cuname. Fatkeqësitë natyrore shpesh vazhdojnë për periudha të gjata, ndonjëherë edhe më shumë se 100 ditë. Studiuesit në këtë qendër kanë hartuar plane si për periudhën para, ashtu edhe pas një fatkeqësie.
"Ne përdorim satelitë meteorologjikë e teknologji të tjera përkatëse për të dhënë paralajmërime të hershme përpara një fatkeqësie," tha Huang Hui, një studiues në Institutin e Kërkimeve për Vendet Ishullore të Paqësorit.
Kina dhe vendet ishullore të Paqësorit krijuan Qendrën e Bashkëpunimit për Pakësimin e Rreziqeve nga Fatkeqësitë në shkurt 2023 / foto nga CMG
Me anë të bashkëpunimit, Qendra e Bashkëpunimit për Pakësimin e Rreziqeve nga Fatkeqësitë shpreson të trajtojë bashkërisht fatkeqësitë natyrore, rreziqet e sfidat e tjera, të mbrojë pronën e pasurinë e njerëzve dhe të ofrojë përvojë të çmuar për parandalimin ndërkombëtar të fatkeqësive natyrore dhe për përpjekjet humanitare. (Wang Lei/ Artan)