Shqipëria do të jetë vendi i nderit në panairin e turizmit “ITB Berlin” në vitin 2025
2024-08-28 15:30:28

Panairi i Berlinit (Foto Atsh)

Panairi i Berlinit (Foto Atsh)

Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, zhvilluan një takim me drejtorin ekzekutiv të “Messe Berlin”, Mario Tobias, dhe drejtoreshën e “ITB Berlin”, Deborah Rothe.

Ministrja Kumbaro theksoi se Shqipëria ka marrë ftesën për të qenë vendi i nderit i panairit të turizmit në Berlin për vitin 2025, si një promovim i jashtëzakonshëm global për Shqipërinë turistike, shkruan “ATSH”.

Sipas saj, mes palëve ka nisur një bashkëpunim shumë intensiv për prezantimin e Shqipërisë në panairin më të madh në botë të turizmit, “ITB Berlin”.

“Shumë i mbarë takimi së bashku me kryeministrin Edi Rama me CEO-n e “Messe Berlin”, Mario Tobias, dhe drejtoreshën e “ITB Berlin”, Deborah Rothe, me të cilët nisim bashkëpunimin shumë intensiv për prezantimin e Shqipërisë në panairin më të madh në botë të turizmit “ITB Berlin”, në të cilin kemi marrë ftesën për të qenë vendi i nderit për vitin 2025, si një promovim i jashtëzakonshëm global për Shqipërinë turistike”,- shkroi ministrja Kumbaro në një postim në rrjetet sociale. (Irma)