Emigrimi (Foto Panorama)
Shqipëria dhe Moldavia janë vendet më të goditura në Europë nga niveli i lartë i emigracionit në raport me popullsinë, vuri në dukje Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin (IOM) në raportin global për vitin 2024, shkruan “Panorama”.
Kryesisht, për shkak të mungesës së perspektivës së punësimit me paga dinjitoze, shumë njerëz janë larguar nga disa nënrajone të BE për të punuar në Europën Perëndimore dhe Veriore.
“Vende të tilla si Shqipëria dhe Republika e Moldavisë janë disa nga më të goditurat; rreth 40% e fuqisë punëtore të Shqipërisë vlerësohet të jetë duke punuar jashtë vendit, duke kontribuar në ikjen e trurit, duke ushtruar presion mbi industritë dhe ekonomitë vendase që vazhdimisht humbasin punëtorë si në sektorët me kualifikim të ulët, ashtu edhe në atë të lartë”,- thuhet në raportin e IOM-it.
Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin rendit si arsye normat e larta të varfërisë, diferencat e pagave midis Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit, korrupsionin dhe klientelizmin e konsiderueshëm që kanë ndikuar në vendimet e njerëzve për t’u larguar nga vendi ynë.
IOM vë në dukje se mijëra të rinj shqiptarë kanë bërë udhëtime të vështira për të arritur në Europën Veriore, veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar.
Një prirje e ngjashme mund të shihet në Republikën e Moldavisë, me rreth një e katërta e popullsisë së saj “ekonomikisht aktive” që punon jashtë vendit.
Vendet e tjera si Bullgaria dhe Serbia nuk bëjnë përjashtim dhe vazhdojnë të shohin shumë nga të rinjtë e tyre që largohen.
Sipas IOM, në dekadat e ardhshme, emigrimi do të jetë nxitësi i vetëm i rritjes së popullsisë në vendet me të ardhura të larta, si dhe do të jetë shkaktar kryesor i rënies së popullsisë në vendet e varfra dhe ato në zhvillim. (Irma)